02:46 Xhamia dhe gratë ndërmjet dy ekstremeve | |
Xhamia, që në Amerikën e Veriut njihet më mirë si qendra islame, është qendra e aktiviteteve shpirtërore, sociale, edukative dhe kohët e fundit e aktiviteteve politike të komunitetit mysliman amerikan. Xhamia është gjithashtu vendi, ku myslimanët me formime kulturore dhe ideologjike të ndryshme takohen dhe bashkëveprojnë. Mënyrat e ndryshme interpretuese të burimeve dhe praktikave islame kanë krijuar tensione, veçanërisht në qendrat islame ku ka tendencë për vendosjen e interpretimeve strikte për vendin dhe rolin e duhur të grave myslimane në xhami dhe në komunitet. Një numër gjithmonë e më i lartë i grave të reja myslimane ankohen për praktikat dhe planifikimet kufizuese, që i pengojnë të marrin pjesë plotësisht në programet sociale dhe edukative. Shumë xhami sot e kufizojnë hollin kryesor të faljes vetëm për burrat dhe për gratë lënë vetëm disa pjesë të veçuara. Gratë po pyesin me zë të lartë: "A është ky vendi që na jep Islami, apo është një imponim i traditave kulturore?” Disa kanë arritur deri në pikën, ku kanë refuzuar të gjitha traditat, duke i tejkaluar kufijtë. Xhamia është vend i rritjes dhe zhvillimit shpirtëror për të gjithë myslimanët dhe aty duhet të shkojnë si gratë dhe burrat. Kurani ka shprehur në mënyrë të qartë barazinë shpirtërore dhe morale ndërmjet burrave dhe grave: "Nuk ka dyshim se për myslimanët e myslimanet, besimtarët e besimtaret, adhuruesit e adhurueset, të sinqertit e të sinqertat, durimtarët e durimtaret, të përvuajturit e të përvuajturat, sadakadhënësit e sadakadhënëset, agjëruesit e agjërueset, ruajtësit e nderit e ruajtëset e nderit, shumëpërmendësit e Allahut e shumëpërmendëset e Allahut, All-llahu ka përgatitur falje (mëkatesh) dhe shpërblim të madh”. (El-Ahzab, 33:35) Kurani thekson, se edhe burrat edhe gratë kanë obligimin moral, të zhvillojnë veten e tyre shpirtërisht dhe moralisht dhe të përmbushin përgjegjësitë e tyre sociale. Xhamia është dhe ka qenë gjithmonë qendra e mësimit dhe rritjes morale dhe shpirtërore. Gjithashtu, xhamia është një vend, ku diskutohen çështjet, që kanë interes publik, në mënyrë që t’i përgjigjuen sfidave, me të cilat përballet komuniteti. Kurani është gjithashtu i qartë për përgjegjësinë e barabartë ndërmjet burrave dhe grave për të zhvilluar të mirën e përgjithshme: "Besimtarët dhe besimtaret janë të dashur për njëri-tjetrin, urdhërojnë për të mirë, e ndalojnë nga e keqja, e falin namazin dhe japin zekatin, respektojnë Allahun dhe të dërguarin e Tij. Të tillët do t’i mëshirojë Allahu. Allahu është ngadhënjyes, i urtë”. (Et-Teube, 9:71) Nxitja e të mirës së përgjithshme dhe kundërshtimi i së keqes janë detyra publike, që bien njëlloj mbi burrat dhe mbi gratë dhe xhamia është vendi, ku burrat dhe gratë myslimane mund të takohen, për të planifikuar zhvillimin e komunitetit dhe për të hartuar strategji për rritjen e së mirës së përgjithshme. Profeti e pohon përdorimin e barabartë Gjatë viteve formuese të Islamit gratë merrnin pjesë në shërbimet publike. Ato ndanin hollin kryesor të xhamisë së profetit. Ndarja e hollit kryesor i lejoi gratë, të angazhoheshin plotësisht në debatin publik dhe të kishin ndikim në jetën e tyre dhe jetën e komunitetit. Megjithëse Kurani është i qartë për barazinë shpirtërore dhe morale të burrave dhe grave, profeti duke parë tendencën e disa burrave, të cilët tregoheshin tepër mbrojtës ndaj të afërmeve të tyre femra, e porositi komunitetin mysliman, që të mos i ndalonte gratë nga frekuentimi i xhamisë. Ibn Umeri transmeton: I dërguari i Allahut tha: "Mos i ndaloni gratë që të shkojnë në xhami, kur ato ju kërkojnë leje”. Bilali i tha: "Për Allahun, ne sigurisht që nuk do t’i lejojmë”. Ibn Umeri tha: Unë them, se i dërguari i Allahut e ka thënë këtë dhe ti më thua: "Ne sigurisht që nuk do t’i lejojmë?!” (Sahih Muslim) Ibn Umeri ka transmetuar gjithashtu, se Profeti (a.s) ka thënë: "Lejojini gratë të shkojnë në xhami natën”. (Buhariu) Shmangia e parimeve të përcaktuara Argumenti kundër grave që të përdorin hollin kryesor të faljes bazohet në parimin e "parandalimit të gjërave të palejuara” (dar’ al-mafasid). Parimi thotë se "Çfarëdo që të shpie në praktika të palejuara (haram), është e palejuar në vetvete”. Parimi, megjithëse nuk pranohet gjerësisht nga juristët myslimanë, është përdorur gjerësisht, për të kufizuar veprimet, që sipas sheriatit janë të lejuara. Disa juristë kanë kërkuar që të mos përdorej radioja, televizori, shtypi dhe shpikje të tjera, sepse ato përdoreshin për të promovuar praktika të pandershme. Në fakt, duke thënë "parandalim i gjërave të palejuara, shumë praktika dhe pajisje të mira mund të deklarohen të palejuara, duke përfshirë përdorimin e internetit dhe qeverisjen e përhapur përderisa të dyja janë të hapura ndaj abuzimeve. Duke përdorur këtë argument një numër xhamish kanë vendosur të krijojnë zona të veçuara për gratë dhe kanë vendosur kufizime, që gratë të mos përdorin disa prej shërbimeve të xhamisë. Gjatë vizitave të fundit në tre qendra islame, shumë gra myslimane u ankuan shumë për përvojat e tyre me drejtuesit e komunitetit. Ato u ankuan për pamundësinë e tyre për të marrë pjesë në leksione dhe diskutime, për kushtet e pjesës së xhamisë, që ato përdorin dhe për mbështetjen e tyre vetëm tek sistemet audio dhe video, që shpesh i ndërpresin nga leksionet dhe diskutimet e vazhdueshme. Duke caktuar zonë të veçanta për gratë gjatë leksioneve dhe diskutimeve nuk parandalohen gjërat e palejuara, por kjo gjë pengon edukimin dhe rritjen shpirtërore. Kam dëgjuar se shumë gra gjatë mbajtjes së ligjëratës fillojnë të diskutojnë për receta dhe për psonisjen. Veçimi u jep grave ndjenjën e lartësisë dhe ndarjes dhe disa gra arrijnë në përfundimin, se ngjarjet që ndodhin në hollin kryesor, nuk u interesojnë atyre. Në këto raste zona e grave bëhet më pak miqësore për gratë, që duan të përqendrohen tek të mësuarit dhe çështjet e komunitetit. Jo të gjitha xhamitë përdorin politikën e veçimit të grave. Disa xhami kryesore si Dulles Area Muslim Society (ADAMS) u mundësojnë grave, të qëndrojnë në hollin kryesor dhe të marrin pjesë plotësisht në mësim dhe konsultim. Gratë kanë dhe detyra drejtuese në këtë shoqatë. T’i pengosh gratë që të ushtrojnë të drejtat e tyre të përcaktuara ose ndërmarrjen e detyrave, nuk mund të justifikohet me pretekstin e parandalimit të gjërave të palejuara. Ky argument u përdor në fazat krijuese të shoqërisë islame, por u hodh poshtë nga myslimanët e parë.
Problemet me veçimin e grave Veçimi i grave në hapësira të izoluara jo vetëm që është kundër urdhrave kuranore dhe sunetit të profetit, por është edhe i dëmshëm ndaj rritjes morale dhe shpirtërore të grave dhe zhvillimit të komunitetit. Përveç ndjenjës psikologjike dhe emocionale të mos marrjes pjesë aktive nëpër takime, ato pengohen dhe nga mundësia për të bashkëvepruar me folësit, për të bërë pyetje dhe komente. Veçimi i grave i mohon komunitetit mysliman një numër në rritje të rejash myslimane, të cilat presin me të drejtë, që xhamia të mos ua largojë të drejtën e marrjes pjesë aktive në shërbimin ndaj komunitetit. Kur nuk plotësohen pritjet e lejuara dhe kur u jepet prioritet zakoneve dhe traditave, ato i detyrojnë gratë të qëndrojnë larg xhamisë dhe si rrjedhim larg aktiviteteve dhe mësimeve islame. Lartësimi i traditave dhe zakoneve kulturore të emigrantëve është kundër misionit të vërtetë të xhamisë, sepse kjo bëhet pengesë për të edukuar njerëzit e besimeve të tjera për Islamin. Historikisht, Islami ka gjetur vend te komunitetet e ndryshme nëpër botë, për shkak të aftësisë së tij për të përshtatur kulturat dhe zakonet e zonës, për aq kohë sa nuk bien ndesh me mësimet islame. Komunitete e emigrantëve do të tradhtonin misionin e tyre dhe besimin, nëse këmbëngulin që të vendosin zakonet dhe traditat e tyre kulturore. Gratë dhe drejtimi i xhamive Udhëheqja e grave në komunitet është një çështje tjetër e diskutueshme. Gratë në disa qendra islame kanë pozicione shumë të mira udhëheqjeje, ndërsa në disa të tjera jo. Megjithëse Islami e pranon kompetencën e grave, që të kenë përgjegjësi të barabarta morale, siç e pamë më lart, shumë komunitete myslimane kanë arritur të pakësojnë pjesëmarrjen e grave në detyra publike mbi baza sociale dhe racionale. Shkalla e kufizimeve ndaj shërbimit të grave në komunitet ndryshon nga periudhat historike dhe shkollat e fikhut. Juristët e hershëm kishin mospërputhje mendimesh, për sa i përket faktit nëse gratë mund të merrnin përsipër poste publike. Ibn Jarir el-Tabari nuk vuri kufizime për të drejtat e grave, që të merrnin postin e gjykatëses për të gjitha çështjet ligjore, ndërsa El-Mauardi mendonte, se gratë nuk mund të lejoheshin të shërbenin si gjykatëse në çdo rrethanë. Mes tyre është mendimi i Ebu Hanifes, i cili i lejoi gratë të merrnin postin e gjykatëses, përveç rasteve që përfshinin marrëveshje tregtare. Juristët e hershëm myslimanë i pranuan të drejtat e grave që të merrnin poste publike, në një kohë kur shumë gra kishin përfshirje të kufizuar publike dhe ekspozim të kufizuar ndaj shërbimit publik. Juristët bashkëkohorë myslimanë duhet të sigurohen, se pozicioni origjinal kuranor i të drejtave dhe obligimeve të barabarta morale dhe shpirtërore do të respektohet dhe do të çohet përpara në shoqërinë e sotme. Kjo është më urgjente sot, ndërsa çështja e kapacitetit të grave për të ushtruar lidershipin dhe për t’i shërbyer komunitetit është pakësuar, nëpërmjet të dhënave mbresëlënëse të arritjeve të grave myslimane në akademi, punë profesionale dhe shërbim në komunitet. Xhamia jonë duhet të pasqyrojë rolin kryesor, që luhet nga gratë myslimane amerikane, duke u siguruar se ato përfaqësohen në bordin e xhamisë dhe bashkohen me radhët e lidershipit. Rëndësia e grave, që marrin pjesë në bordin ekzekutiv dhe në komitetet ekzekutive, nënvizohet më tej nga nevoja për të përfaqësuar interesat, që mund të shprehen vetëm nga gratë, të cilat e ndiejnë ndikimin e vendimeve të marra nga xhamia për cilësinë e jetës dhe pjesëmarrjen e grave të tjera. Kalimi në skajin tjetër Disa myslimanë feministë, të mbështetur nga një rrjet aktivistësh progresivë, e kanë shtyrë lavjerrësin në skajin tjetër. Zgjedhja e tyre për kufizimin e grave në zona të veçuara dhe kalimi i tyre në nivele të parëndësishme në xhamitë ultrakonservatore, është hapja e xhamisë ndaj një kongregacioni të përzier të drejtuar nga gratë. Unioni Mysliman Progresiv në Nju Jork ka deklaruar, se një kongregacion i përzier është drejtuar nga Amina Uadud. Është e pafat që feministët myslimanë po ndjekin hapat e pararendësve laikë, duke shkelur të gjitha traditat dhe duke u përfshirë në të gjitha eksperimentet, që thyejnë parimet dhe vlerat formuese. Individët dhe lëvizjet e interesuara për të reformuar qëndrimet dhe praktikat për të marrë ekstremin e kundërt, mund të prekin axhendën e reformave, që po bëhen në gjithë Amerikën e Veriut. Shtysa e fundit për t’u ndarë nga komunitetit dhe tradita shkon përtej ndonjë axhende reformash. Reformat kërkojnë, që njeriu të bëjë të qartë parimet bazë dhe pastaj të angazhojë komunitetin mysliman në dialog, për të krijuar një vetëdije dhe për të transferuar parimet e qarta në një traditë jetese. Reforma, që ka si qëllim përdorimin e traditave myslimane, duhet të zbatojë praktikat profetike dhe kuranore, në mënyrë që të qartësojë urdhrat islame dhe traditat profetike. Unioni i Myslimanëve Progresivë ka vendosur të veprojë në mënyra revolucionare dhe jo reformiste. Është e qartë, se reformatorët myslimanë, të interesuar për zhvillimin e praktikave të komunitetit mysliman amerikan dhe për të siguruar përfshirjen e plotë dhe kuptimplote të grave në jetën në komunitet, duhet të bëjnë rrugën e tyre, duke ruajtur një bazë të mesme nga tendencat ekstremiste dhe tendencat shumë konservatore, që janë të fiksuara pas ruajtjes se traditave kulturore, duke e paguar me shtrembërimin e mësimeve islame dhe nga shpërthimet liberale ekstreme, që duan të ndahen plotësisht nga traditat dhe të rrëmojnë në hapësira boshe pa drejtim dhe pa shenja treguese/ardhmeria/ | |
|
Total comments: 0 | |
Opoja Lajmë [28] |
Lajme [19] |
Sport [22] |
Ekonomi [15] |
Teknologji [18] |
Shkencë [18] |
Kulturë [20] |
Shëndetësi [22] |
Kuzhinë [20] |
Meditime për Muajin: Nentorë 2013
* 5 Autorë janë nga treva e Opojës *
Dispozitat e sadakasë obligative dhe asaj vullnetare. | |
Elementet e demokracisë në islam. | |
Osmanet. | |
Islam I është fe e punës dhe e pendimit,.. |
Reklama Juaj!□■□■□■□■□ opoja.net@live.com