Pllavë
Foto nga Fshati
Video nga Fshati
Fshati Pllavë në FB
Pllavë
Shtrihet në trevën e Opojës, në pllajë, rrafshlartë, rreth 7 km në veri të qendrës komunale të Sharrit, i tipit të dendur, rrëzë malit të Pikëllimës (Koritnikut).
Sipërfaqja: 6,77 km².
Lagjet – familjet: Tërshnjaku, Cenaj, Gjobalaj, Bojaxhiu, Piraj, Hulaj, etj.
Mikrotoponimet më karakteristike: Kodra, Kroi Lisit, Gunga, Dubrava, Mllakat e Bazës, Kreveçica, Ograda, Ndershpoi, Kroi Hasës, Dernovec, Shtezne, Livadhet e Cucës, Kroi Eminit, Bathishta, Gjolëza, Zallina, Pojata, Zabeli Dushkit, Zabeli, Prroji Boksaqit, Pazhiki Shinës, Topilla Sylës, Prroji Keq, Ura e Haxhimusës, Kroji Hajros, Groshëza, Kellavec, Gurrat, Rrahi, Plesht, Shullani, Gjollza, Tepat, Lukthet, Lugjëzat, Vladet, Trrafqi, Stanet e Bekteshit, Likejt, Topilla Leshit, Topilla Rakitos, Topilla Shkozos, Rrasat e Lekos, Vlloja, Maslisja, Kodra, Arat e Kindlos, Lisi Kingjos, Lisi Vove, Kroji Haxhisë, Koji Memos, Kroji Lisit, Kroji Xhamisë, Loma e Spahisë, Lomat e Tërshnjakve, Ogradet, Mixhamia, Sallatashi, Pojata, Jazest, Kaqarrat, Gropa Shivit, Livadhet e Mdhaja, Morrizi, Kartelli, Hani Hazerit, Mullini Xhabaleve, Fusha e Bashos, Mizabeli, Gunga, Kroji Ftoht, Larza, Orrnicat, Fushat, Kroji Hasës, Shavare, Ostrika Mushtekna, Prroji Leprit, Lipusha, Vorrast e Bojaxhive, Rrasat e Zeza, Trokoni, etj.(1)
Thuhet se banorët e parë të këtij vendbanimi kanë jetuar në vendin ku është lokaliteti te Hani i Llapushnikut. Banorët janë shpërngulur për shkak të mortajës dhe janë vendosur në lokalitetin e sotëm. Atë lokalitet e kanë djegur. Përmbi fshatin e sotëm janë gjetur gypa të ujësjellësit. Aty në lokalitetin e Lapushnikut janë varret e Bojaxhive, disa i quajnë Varret e Kallabës dhe Varret e Krushqëve.(2)
Pamje e fshatit Pllavë
Mirëpo, në dokumentet e shkruara përmendet në vitin 1327, në kartën e Stefan Deçanskit dhe të Hilandarit. Përmendet edhe në kartën e Dushanit të vitit 1348.(3) Si vendbanim me emrin Plav, me 1 shtëpi është i regjistruar në defterin e Rumelisë të vitit 1451-1452.(4) Si vendbanim është i regjistruar edhe në Muhasabe-i Vilajet-i Rum-ili Defteri, Sanxhaku i Prizrenit, nahija e Opojës, i vitit 1530, me emrin Plava, ndërsa në ate të hollsishëm ky vendbanim në këtë vit kishte 9 shtëpi dhe 4 myslimanë.(5) Pastaj përmendet në defterin kadastral të Sanxhakut të Dukagjinit, varet nga Opoja, të vitit 1571 dhe kishte 1 shtëpi të krishtera, 10 çift, 4 benak e 1 beqar.(6) Ndërsa, në defterin kadastral të Sanxhakut të Prizrenit, të vitit 1591, kishte 10 çift-familje, 2 benak, 6 beqarë.(7)
Me këtë emër është i regjistruar në sallnamet e Vilajetit të Kosovës të viteve 1893 (1311 h), 1896 91314 h) dhe 1900 (1318 h).
Nga ky vendbanim jashtë atdheut në periudhën 1912-1980, migruan 19 persona. Nga barbarët serbë në vitin 1913, në këtë fshat u dogjën 18 shtëpi, 18 meshkuj dhe 4 gra me fëmijë në gji u vranë me bajonetë dhe plaçkitën çdo gjë që gjetën.(8)
Shënimet statistikore: Në vitin 1865 kishte 78 shtëpi; rreth vitit 1879 - 60 shtëpi; më 1913 - 452 banorë shqiptarë; më 1918 - 49 shtëpi me 241 banorë shqiptarë; më 1921 - 32 shtëpi me 285 banorë; më 1948 - 70 shtëpi me 462 banorë; më 1953 - 72 shtëpi me 449 banorë; më 961 - 67 shtëpi me 493 banorë (491 shqiptarë, 2 të tjerë); më 1971 - 85 shtëpi me 690 banorë shqiptarë; më 1981 - 100 shtëpi me 973 banorë (670 shqiptarë, 3 myslimanë); më 1991 - 131 shtëpi me 1157 banorë.
Nga agresori serb më 1999, janë djegur 5 shtëpi. Popullata më 31 mars 1999 është dëbuar në Shqipëri.(9) Në vitin 1998, kishte 133 shtëpi me 1201 banorë. Sipas shënimeve të Kuvendit komunal në vitin 2000/2001, ky vendbanim kishte 1300 banorë.
_____
1. Shënimet janë marrë gjatë vizitës së fshatit më 1.09.2008 nga Mr. Fejzullah Tërshnjaku, profesor.
2. Po aty.
3. St. Novaković, Zakonski spomenici ….., v. e c., fq. 491.
4. Dr. Ilijaz Rexha, Një fragment i Defterit të Rumelisë të viteve 1451-1452 …, Prishtinë, 2005, fq. 275-296.
5. T.C. Başbakanlik Devlet Arşivleri Genel Mudurlugu, Osmanli Arşivi Daire Başkanligi, Defter-i Hakikani Dizisi IX, 167 Numarali, …., Ankara, 2004, harta.
6. Bashvekâlet arshivi, tapu defterleri, nr. 499, fq. 248-262; Selami Pulaha, Popullsia shqiptre e Kosovës gjatë shek. XV-XVI, Tiranë, 1984, fq. 348.
7. Selami Pulaha, Popullsia shqiptare e Kosovës gjatë shek. XV-XVI, Tiranë, 1984, fq. 117.
8. Bedri Halimi, Qëndresa kombëtare në Opojë dhe dëshmorët e saj, v. e c., fq 35.
9. Sikurse fusnota 1.