Main » 2013 » Gusht » 16 » Semundjet e gjirit nga Docent Dr.Sc Selami Sylejmani, MD
03:24
Semundjet e gjirit nga Docent Dr.Sc Selami Sylejmani, MD
SËMUNDJET E GJIRIT Për fillim, çka janë gjinjtë, si zhvillohen dhe karakteristikat e tyre anatomike?

Gjinjtë janë gjëndra qumështi, çifte, të vendosura në muskujt e kraharorit në mes të brinjës së tretë dhe të gjashtë. Deri në moshën 8-10 vjeçare zhvillimi i tyre është i njëjtë si te djemtë ashtu edhe te vajzat. Pas kësaj kohe, për shkak të veprimit të hormoneve, të cilat prodhohen në vezore, te femrat vazhdojnë dhe zhvillohen ndërsa te meshkujt pushojnë së zhvilluari. Zhvillimi i tyre është nën veprimin e hormoneve seksuale (estrogjeneve dhe progesteronit). Në gjinj vazhdimisht kanë veprim hormonet seksuale për çka edhe madhësia, fryrja dhe konsistenca e tyre ndryshon gjatë fazave të ciklit menstrual.Madhësia, forma dhe pozita e tyre varet nga raca, konstitucioni, veprimi hormonal dhe faktorët trashëgues. Gjinjtë tepër të mëdhenj, hipertrofik (macromasthia) mund të arrijnë peshë nga 5-10 kg e më shumë. Mund të jetë i rritur vetëm njëri gji, por zakonisht janë të dyja. Te disa gra kjo ndodh pas dhënies gji për një periudhë të gjatë dhe shumë lindjeve të cilat shkaktojnë lëshimin-ptozën e tyre.

 

Çfarë funksioni kanë gjinjtë? A ka sëmundje të gjinjve, nëse po atëherë cilat janë sëmundjet më të shpeshta?

Gjinjtë janë gjëndrra qumështi dhe ky është funksioni fiziologjik dhe kryesor i tyre. Mirëpo, pos këtij funksioni, ato paraqesin një ndryshim anatomik që ekarakterizon bukurinë e femrës.Si çdo organ i organizmit të njeriut që mund t'i nënshtrohet proceseve patologjike, edhe gjinjtë e kanë këtë mundësi. Sëmundjet e gjinjve ndahen në: sëmundje inflamatore (pezmatime) dhe procese tumoroze.

Çka janë sëmundjet inflamatore ose pezmatimet dhe cilat janë shenjat e pezmatimit të gjinjve?

Procesi i inflamacionit (pezmatimit) mund ta përfshijë tërë indin e gjirit (mastitis) ose thelbin e gjirit (thelitis). Në mbi 90% të rasteve shkaktarët e infeksionit vijnë nga jashtë, sidomos gjatë periudhës së lehonisë. Shkaktar më të shpeshtë janë: stafilokoket dhe streptokokët. Këto pezmatime paraqiten në fund të javës së parë të lehonisë. Shkaktarët e infeksioneve futen nga jashtë nëpërmes ragadeve (çarjeve) për shkak të higjienës jo të duhur të gjinjve. Shenjë e parë është dhembja e lokalizuar në gjirin të cilin e ka kapluar inflamacioni dhe atë në vendin ku ndodhet ky pezmatim. Më vonë pos dhimbjeve, fillojnë të paraqiten edhe shenjat tjera lokale të inflamacionit si: skuqja e gjirit, tërheqje e lëkurës së vendit të inflamuar dhe ënjtje. Nëse nuk fillohet mjekimi menjëherë, pezmatimi avancon dhe kalon në proces belbëzues ose absces. Nga shenjat e përgjithshme lehona ka ethe-temperaturë të lartë dhe gjendje të përgjithshme të rëndë.

Çka duhet të bëjë lehona e cila ka pezmatim dhe a duhet t'i jepet fëmijës gji gjatë kësaj gjendjeje?

Që në fillim duhet t'i paraqitet mjekut më të afërt, i cili do t'i përshkruajë barërat përkatëse. Derisa të mos është paraqitur te mjeku, ajo mund të përdorë fasha të ftohta dhe ndonjë bar simptopatik (për temperaturë dhe dhimbje), pastaj mjeku i përshkruan terapinë përkatëse me antibiotikë. Nëse ka ardhur deri te formimi i qelbit (absces) atëherë duhet të bëhet një prerje dhe të largohet qelbi, por për këtë vendos mjeku përkatës.Nuk mund t'i jepet gji foshnjës gjatë në këtë gjendje por laktacioni (mos humbja e qumështit) mbahet duke e mjelë gjirin deri sa ai të mjekohet e pastaj mund të vazhdohet me dhënien gji edhe me gjirin që ka qenë i sëmurë.

Si të parandalohen proceset inflamatore ose pezmatuese?

Duhet t'i kushtohet rëndësi higjienës së gjinjve në përgjithësi dhe në periudhën e laktacionit (dhënies gji) në veçanti, të mos futen mjete të ndryshme në gji ose para të pastrohen duart para dhënies gji fëmijës. Mundësisht, thithat të pastrohen para dhe pas dhënies gji foshnjës. Në rastet me ragade (çarje) mirë është që pas dhënies gji thithat të lyhen me një yndyrë me antibiotikë psh. Hidrokortizon, Bivacyn, Stanicid etj. Nëse lehona ka shumë qumësht dhe foshnja nuk mund ta thithë gjithë sasinë atëherë duhet që pjesa e mbetur duhet mjelë dhe të largohet.

Çka është Mastopatia dhe me çka manifestohet kjo sëmundje?

Kjo është një sëmundje e gjinjve e cila ka shumë emra si: fibrosa cystica, masthopathia chronica, adenosis, fibroadenomatosis etj. Manifestohet me një hiperplazion (rritje) të gjinjve, e cila mund të përcillet me formimin ose jo të cisteve në parenkimin e gjinjve. Nuk është sëmundje malinje. Kjo është sëmundje kronike dhe gati 50% e femrave vuajnë nga kjo patologji. Paraqitet te femrat e martuara dhe të pamartuara prej fëmijërisë e deri në pleqëri. Më e shpeshtë është nga mosha 20 deri në fillim të viteve 60-ta të jetës së femrës.Sëmundja manifestohet me dhembje dhe fryrje në njërën ose në të dy gjinjtë. Ankesat janë të lidhura me ciklin menstrual dhe zakonisht paraqiten disa ditë para menstruacioneve ose gjatë gjakderdhjeve menstruale. Në disa raste edhe gjatë ovulacionit. Kur fillojnë menstruacionet, pengesat shpejt pushojnë e ndodh të vazhdojnë deri të kryhen menstruacionet. Gratë vetë palpojnë (prekin) formacione-nyje të forta sidomos në 1/4 e jashtme të gjinjve. Mendohet se shkaktohet nën veprimin e estrogjeneve (hormone seksuale femërore).

Si mjekohet kjo sëmundje dhe a mund të kalon në sëmundje serioze malinje?

Mjekim specifik nuk ka. Jepet terapi simptomatike. Mendohet se dhënia e preparateve me progesteron ka veprim të mirë. Kohët e fundit nga studimet që janë bërë është ardhur në përfundim se disa lloje ushqimesh si përdorimi i tepërt i kafesë, çajit të rusit ose Indisë, çokollatës si dhe streset, luajnë rol me rëndësi në paraqitjen gjegjësisht mosparaqitjen e kësaj sëmundje.Duhet pasur kujdes nga se afër 6% të këtyre grave me këtë patologji mund të kalojë në kancer si dhe kujdesi i kësaj moshe (40-60 vj) nga se në këtë moshë paraqitet më së shpeshti kanceri i gjinjve.

A janë të shpeshtë tumoret e gjinjve te femrat dhe a duhet të mjekohen tumoret beninjë dhe si?

 Një femër, ndër 5 gra preket nga një tumor i gjinjve, prej të cilëve 2/3 e rasteve janë beninje.Duhet të mjekohen patjetër nëse diagnostikohen ndonjë formë e tyre si formacionet cistike, ato duhet të operohen ngase në të kundërtën mund të kalojnë në tumor malinjë.

Po tumoret malinjë a janë të shpeshtë te femrat?

Nga të gjitha sëmundjet malinje (ose me zë të keq) te femrat, së bashku me kancerin e qafës së mitrës kanceri i gjinjve është ndër më të shpeshtit. Statistikat ndryshojnë nga vendi në vend, kështu në Japoni vdekshmëria nga kanceri i gjirit është 4 në 100.000, në SHBA 26. Në Evropë vdekshmëri më të lartë ka Britania e Madhe, Danimarka 32-40 në 100.000 gra.Gjatë jetës, 2-3% të grave sëmuren nga kanceri i gjirit. Nga të gjitha sëmundjet malinje 20-25% të tyre i takon kancerit të gjirit, ndërsa nga numri i vdekjeve nga sëmundjet malinje deri në 20% të grave vdesin nga kanceri i gjirit.Sipas të dhënave më të reja, afër 6% e popullatës së femrave janë të përfshira nga kjo sëmundje si dhe me një tendencë rritjeje edhe në 1% brenda vitit. Mirëpo kjo sëmundje sot falë mundësive diagnostikuese, disiplinës dhe edukatës shëndetësore të vetë grave mund te zbulohet shume herët.

Në cilën moshë mund të sëmuret femra nga kanceri i gjirit si dhe a mund të sëmuren edhe meshkujt nga kjo sëmundje?

Nga kanceri i gjirit femra mund të sëmuret nga rinia e hershme e deri në fund të jetës së saj. Mosha më e shpeshtë kur sëmuren femrat është nga mosha 40 deri në moshën 75 vjeçare. Sëmurën edhe mashkujt, por sëmundja te burrat është mjaft e rrallë. Marrëdhëniet e paraqitjes së kancerit të gjirit të burrat dhe gratë është 99:1 në favor të grave.

A dihet shkaktari i paraqitjes së kësaj sëmundje vdekjeprurëse dhe cilët janë faktorët të cilët e ndihmojnë paraqitjen e kësaj sëmundjeje?

Etologjia (shkaku) e sëmundjes nuk dihet. Mirëpo ka mjaft studime që flasin për disa faktorë të cilët e favorizojnë si dhe disa të tjerë të cilët e mbrojnë femrën nga paraqitja e kësaj sëmundje të rrezikshme.
Faktorë kyçë janë hormonet seksuale të vezoreve sidomos estrogjenet. Kështu femrat të cilat nuk kanë lindur ose kanë pak lindje janë të favorizuara në paraqitjen e kësaj sëmundjeje. Sëmundja më e shpeshtë është te ato gra të cilat menopauza (menstruacioni i fundit) është e vonshme dhe gratë, të cilat kanë gjakderdhje të rregullta menstruale deri pas moshës 55 vjeçare, sëmuren nga kanceri i gjirit 2 herë më shpesh se te ato, të cilat menstruacionet u pushojnë para moshës 45 vjeçe.
Mënyra e ushqyeshmërisë, sidomos ushqimi i pasur me yndyra, dhe gratë me peshë të shtuar (majme) sëmuren më shpesh nga kanceri i gjirit se femrat me peshë normale. Edhe femrat, të cilat ngelin shtatzënë për herë të parë pas moshës 30 vjeçare, më shumë mund të paraqitet kjo sëmundje se te ato që fare nuk kanë lindur dhe ky rrezik vjen duke u rritur sa më në moshë të shtyrë të jetë shtatzënia a parë. Disa studime flasin se edhe abortet e shpeshta rrisin rrezikun e paraqitjes së kësaj sëmundjeje.

Po duhani a ka ndikim në paraqitjen e kancerit të gjirit?

Një kohë të gjatë janë duke u bërë studime në këtë drejtim. Te kafshët është vërtetuar se materiet kimike të cilat i përmban duhani me siguri shkaktojnë kancerin e gjirit. Kohët e fundit në Amerikë është shpallë një studim për kancerin e gjirit dhe duhanin. Nga ky studim është ardhur në përfundim se gratë, të cilat pinë duhan aftësia mbrojtëse e një gjeni, i cili ka ndikim në paraqitjen e kancerit të gjirit, ulet. Ky gjen, te popujt evropianë haset në mbi 50%. Janë të rrezikuara sidomos, ato femra që fillojnë të pinë duhan herët, si dhe ato, të cilat pinë më shumë se një pako brenda ditës.

A ka faktorë të cilët e mbrojnë gruan nga paraqitja e kancerit të gjirit, cilët janë?

Rrezik më të vogël të paraqitjes së kancerit së gjirit kanë ato femra të cilave u janë larguar vezoret para moshës 40 vjeçare. Rrezik më të vogël nga paraqitja e kancerit t ë gjirit te femrat janë edhe menstruacionet e rralla për shkak të shtatzënive, dhënies gji një kohë të gjatë si dhe te ato femra, të cilat ngelin pa menstruacione herët. Edhe shtatzënitë e shpeshta e zvogëlojnë rrezikun nga paraqitja e kancerit të gjirit te femrat. Ka edhe disa të dhëna se shtatzënia para moshës 25 vjeçe e zvogëlon mundësinë e paraqitjes së kancerit të gjirit. Gratë, të cilat kanë lindur para moshës 18 vjeçare kanë vetëm 1/3 e rrezikut për tu sëmurë nga kjo sëmundje, në krahasim me gratë, të cilat për herë të parë kanë lindur pas moshës 35 vjeçare.

A është kancerit i gjirit sëmundje ngjitëse apo trashëguese?

Jo, dhe nuk ka frikë se kjo sëmundje mund t'i ngjitet personave të cilët e rrethojnë ose kujdesen për të sëmurën.Nuk mund të thuhet me siguri se a është sëmundja trashëguese apo jo. Mirëpo, ka të dhëna se sëmundja është paraqitur te disa gjenerata të gruas së sëmurë si gjyshja, nëna, e bija, motra. Incidenca e paraqitjes së kancerit të gjirit është 2-3 herë më e shpeshtë te gratë të cilat në familje (gjyshja, nëna, motra) kanë pasur të sëmurë me kancer të gjirit, në krahasim me ato gra, të cilat në anamnezën familjare nuk kanë pasur të sëmurë me këtë sëmundje.

Cila pjesë e gjirit është më e rrezikuar nga paraqitja e kësaj sëmundje?

Nëse gjirin e ndajmë në katër pjese atëherë në 1/4 e jashtme të sipërme në afër 48 të rasteve paraqitet më shpesh kanceri i gjirit, pastaj vjen 1/4 e sipërme e brendshme me 15%, 1/4 e poshtme e jashtme me 11% dhe më pak kanceri i gjirit lokalizohet në 1/4 e poshtme të brendshme 6%. Përreth thithit-areolës në 17% dhe multifolikular-në shumë vende 3%.

Cilat janë shenjat e paraqitjes së kancerit të gjirit?

Faza e fillimit të paraqitjes së kancerit të gjirit nuk ka ndonjë shenjë karakteristike. Shpesh ndodh që gruaja vetë të zbulojë, prek disa ndryshime në gjinj në formë të formacioneve të forta nyjesh. Këto zbulohen zakonisht gjatë larjes së trupit. Mirëpo janë bërë studime edhe te popujt më të ngritur në kuptim të edukatës shëndetësore, dhe se nga koha e prekjes së këtyre ndryshimeve e deri te paraqitja te mjeku së paku kalon 7-12 muaj. Sigurisht te populli ynë kjo është edhe më e vonuar për shkak të edukimit shëndetësor të pa mjaftuar. Në fillim këto nyje, të cilat preken janë të veçuara dhe të lira por me kalimin e kohës këto bashkohen me indin për rreth dhe më nuk janë të lira. Në disa raste hasen ndryshime në thitha (ato futen brenda) ose paraqitet skuqje apo trashje e lëkurës së gjirit. Në disa raste paraqitet rrjedhje e lëngut të përzier me gjak nga gjiri.

A përhapet sëmundja edhe në organe tjera?

Po. Në fillim procesi i kancerit të gjirit përhapet në tërë gjirin në drejtim të kraharorit dhe lëkurës ashtu që lëkura e gjirit merr një dukje si lëvorja e portokallit. Sëmundja mund të përhapet edhe me anë të limfës dhe gjakut në organe tjera si: vezore deri në 30% të rasteve, boshtin kurrizor, kocka, mushkëri, mëlçi, tru, etj.

Si caktohet diagnoza e kancerit të gjirit?

Për diagnozë të kancerit të gjirit duhet të merret mirë anamneza, si ajo familjare edhe ajo personale, të vështrohen gjinjtë, të preken-palpohen. Nga analizat duhet të bëhet: kontrolli me ultratingull - sonomamografia sidomos te femrat e reja, pastaj mamografia - kontrolli me rëntgen, analiza citologjike e lëngut që rrjedh nga gjiri, analiza citologjike dhe patohistologjike e materialit të fituar me gjilpër ose me biopsi - operacion me rastin e largimit të tumorit.

Kur duhet të bëhen kontrollet me ultratingull dhe me rëntgen ose mamografia?

Më së miri është që kontrolli me ultratingull - sonomamografia ose me rëntgen - mamografia duhet të bëhet në fazën e parë të ciklit menstrual, pra menjëherë pas menstruacioneve gjegjësisht nga dita e 4 deri në ditën e 10-të të ciklit menstrual.

A ka mjekim dhe si janë rezultatet?

Po, kanceri i gjirit mjekohet. Rezultatet varen nga koha e zbulimit. NESE ZBULOHET ME KOHË ATËHERE MJEKIMI ËSHTË I PLOTË. Mjekimi kryhet në institucione të specializuara dhe atë në fillim me rrugë operative duke e larguar tumorin së bashku me indin për rreth (lumpektomi) ose tërë gjirin (mastektomi) dhe pastaj mjekimi plotësohet duke vazhduar me rrezatim, kemioterapi, terapi hormonale dhe terapi simptomatike biofosfate.

(Teksti është marrë nga intervista me Dr. Selami Sylejmanin, Doktor i shkencave të mjekësisë, specialist për gjinekologji dhe obstetrikë, sonografistë në lemin e gjinekologjisë, obstetrikës dhe sëmundjeve të gjirit, dhënë: Revisitës Penda, Kosovarja, Telegraf, Radio Sharrit, Radio Prizrenit, TV Prizrenit, TV Opinionit dhe TV 21)

Category: Shëndetësi | Views: 951 | Added by: Kushtrim_Guraj | Rating: 3.0/1
Total comments: 0
Name *:
Email *:
Code *:
Block title
Kategoria
Opoja Lajmë [28]
Lajme [19]
Sport [22]
Ekonomi [15]
Teknologji [18]
Shkencë [18]
Kulturë [20]
Shëndetësi [22]
Kuzhinë [20]
Komuna Dragash-it
komuna_dragash_radio_sharri


www.opoja.net
EDHE TI MUND TA SJELLËSH LAJMIN NË "OPOJA.NET"
Apo nëse keni propozim për ndonjë temë interesante, na thirreni në tel.:045/622 653, apo na shkruani në e-mail: opoja.net@live.com
Moti në opojë

OPOJA

Reklama Juaj!□■□■□■□■□ opoja.net@live.com
Marketing




Kliko ketu per ta shkarkuar fletepalosjen "Vetekontrolli i Gjinjeve"
Foto & Video
Fotografia e Javës //mw2.google.com/mw-panoramio/photos/medium/65786457.jpg Video e Javës
Publicitet

Facebook
dita e flamurit
Gjithësej Vizitorë

Gjithësej ne Linje: 1
Publikues: 1
Perdorues: 0
Total Vizitorë: