Mbi 1 milion kosovarë përdorin internetin, me një përqindje gati
identike me vendet e zhvilluara, thotë një raport i publikuar nga STIKK.
Depërtimi i Kosovës në internet, bazuar në përdoruesit është
76.6 për qind, përqindje kjo pothuajse e njëjtë me ato në vendet e
zhvilluara, ku sipas një raporti të Unionit Ndërkombëtar të
Telekomunikacionit depërtimi i internetit është 77 për qind. Përqindja e popullsisë rurale që përdor internetin është 77,7 për
qind, për dy pikë më e lartë se ajo urbane që përdor internetin me 75
për qind. Ky vlerësim është bërë nga Shoqata për Teknologji të Informacionit
dhe Komunikimit e Kosovës STIKK, e cila ka përgatitur një raport rreth
përdorimit të internetit në Kosovë. Sipas këtij raporti, rezulton se 76,62 për qind e popullsisë janë
përdorues të internetit, ndërsa 23,38 për qind kanë deklaruar se nuk e
përdorin atë. Sipas këtyre të dhënave, STIKK tha se 1,080,038 është numri total i
popullsisë që përdorin internetin. Nga këta përdorues, qasje në internet
kanë 87 për qind e amvisërive urbane dhe 83 përë qind e amvisërive
rurale. Në pyetjen se cilat shërbime të internetit i përdorin më së shumti,
në vend të parë ka dalë Facebook-u, i pasuar nga Skype, emaili personal,
Youtube dhe Twitter-i. "Format e komunikimit social si Skype dhe Facebook kanë një përdorim
më të madh, për shkak të diasporës, e cila i shfrytëzon këto forma për
komunikim me familjarët”, tha Valon Canhasi, menaxher i projektit. Sipas raportit, të punësuarit e përdorin internetin në masën 51,75
për qind, ndërsa të papunët me 48,25 për qind. Gjithashtu në këtë studim
ka rezultuar se 86,76 për qind e të intervistuarve e përdorin
internetin çdo ditë, ndërsa 9,57 për qind vetem 3 here në javë. Po ashtu ka rezultuar se përqindja e femrave që e përdorin internetin
është më e ulët se e meshkujve. 49,62 për qind e femrave përdorin
internetin, kurse prej meshkujve 50,38 për qind. E në përputhje me trendet globale, numri i përdoruesve të internetit
nëpërmjet telefonave mobilë është në lartësi prej 65,37 për qind. "Qasja e njerëzve në shërbimet publike online ka marrë një hov shumë të
madh”, tha Jan Braathau, ambasadori i Norvegjisë, që së bashku me
British Council dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës e kanë
përkrahur projektin e STIKK-ut. "Kemi qenë të frikësuar se aplikimi i vizave online nuk do të kishte
sukses, duke marrë në konsideratë faktin se pjesa më e madhe e
popullsisë jetojnë në zona rurale, por kjo eksperiencë dëshmoi të
kundërtën. Kalimi i këtij shërbimi online funksionoi, gjë që tregon se
ka progres dhe ky në shumë pak kohë", shtoi ai. Edhe Ian Cliff, ambasador i Britanisë së Madhe në Kosovë, u tregua i
kënaqur me rezultatet e raportit. Ai tha se përdorimi i internetit në
Kosovë është në nivel me standardet globale. "Gjë që është shumë pozitive, pasi u jep qasje njerëzve dhe shoqërisë
civile që të monitorojnë në mënyrë më të lehtë punën e institucioneve”,
tha ambasadori Cliff. Zëvendësministri i Jashtëm, Petrit Selimi, tha se raporti tregon që
Kosova është një shoqëri me shtrirje të gjerë të internetit, ku shkalla e
përdorimit të internetit nga qytetarët është e krahasueshme me normat
globale. Kryetari i Bordit Ekzekutiv të STIKK-ut, Shkumbin Brestovci, tha se
Kosova është tashmë një mjedis shumë dinamik online, me potencial për
zhvillim të mëtejshëm nga biznesi, qeveria dhe investitorët.
Studim i STIKK-ut është realizuar në një periudhë 5 ditore, me
shtrirje në të gjithë Kosovën. Sipas kësaj organizate, në përputhje me
regjistrimin e fundit të popullsisë është bërë një përzgjedhje e
barabartë e kampionit si për pjesën rurale dhe atë urbane. / Gazeta JnK /
|