Kosova dhe Hungaria po e thellojnë bashkëpunimin në fushën e
bujqësisë. Këto dy vende, që nga viti i ardhshëm, do të angazhohen edhe
në projekte të përbashkëta bujqësore me interes të ndërsjellë.
Intensifikimi i këtij bashkëpunimi nga të dyja vendet është konfirmuar
edhe gjatë vizitës së një delegacioni të Ministrisë së Bujqësisë, të
kryesuar nga ministri Blerand Stavileci, në Hungari.
Ministri
Blerand Stavileci tha se pas shumë takimeve teknike që kanë pasur me
asociacionet e fermerëve dhe institucione të tjera, takim me rëndësi të
veçantë ishte edhe takimi bilateral me ministrin e bujqësisë në Hungari,
Sandor Fazekas. "Bashkë me Ministrin Fazekas do të angazhohemi që t’ju krijojmë
kushte më të mira prodhuesve tanë përmes promovimit dhe krijimin të
lehtësirave shtesë në zhvillimin e tregjeve, si dhe takimi me
nënkryetarin e parlamentit hungarez, Istvan Jakab, i cili njëherësh
është edhe kryetar i grupit parlamentar për bujqësi dhe president i
asociacionit hungarez të fermerëve të vegjel dhe të mesëm, nga i cili
morëm zotime se do mbështetemi si në fushën e legjislacionit, ashtu edhe
në organizimin e fermerëve”, tha ministri Stavileci. Gjatë kësaj vizite, përfaqësuesit shtetëror të të dyja vendeve, mes
tjerash kanë diskutuar edhe për promovimin e produkteve vendore dhe për
sigurimin e kulturave bujqësore, projekt i cili në vendin tonë është
duke u dizajnuar dhe për këtë kërkohet edhe përvoja e shteteve të tjera,
përfshirë këtu edhe Hungarinë.
Po ashtu, gjatë takimeve që delegacioni kosovar ka pasur në Hungari,
ka kërkuar edhe përkrahjen e këtij shteti lidhur me MSA-në, ku
njëkohësisht kanë falënderuar këtë shtet edhe për angazhimin që e ka
pasur në projektin e binjakëzimit. /Telegrafi/
|