Portugalia e Cristiano Ronaldos do të luajë në ‘Kampionatin Botëror
2014’ pasi ka fituar edhe në shtëpinë e Suedisë me rezultat 3-2. (Takimi
i parë i ‘play-offit’ ishte mbyllur me rezultat 1-0 në favor të
portugezëve).
Gjysma e parë ishte shumë e tendosur me të dyja skuadrat që patën disa raste shënimi, por rrjetat nuk u prekën. Pak minuta brenda pjesës së dytë, Cristiano Ronaldo pranoi një super
pasim nga Joao Moutinho dhe u ndal vetëm atëherë kur topi përfundoi në
rrjet (50’). Superylli i ekipit vendas, Zlatan Ibrahimovic, e tregoi praninë në
fushë duke e barazuar rezultatin (68’). Ibracadabra ringjalli shpresat e
suedezëve me një gjuajtje të lirë që u ndal në rrjet (72’). Mirëpo, pas një kundërsulmi të mysafirëve, ishte superylli i Real
Madridit që shoi çdo shpresë të Suedisë me barazimin e rezultatit (77’). 
Ai nuk u ndal me kaq. Deshi het-trik dhe realizoi (79’). Për më
shumë, ai u barazua me Pauletan në krye të listës së golashënuesve më të
mirë në histori të Portugalisë (me nga 47).
Në Brazil do të udhëtojë edhe Kroacia që ka realizuar fitore prej 2-0
përballë Islandës. Në ndeshjen e zhvilluar në Maksimir, Mario Mandzukic
shënoi (27’) dhe u përjashtua me karton të kuq (38’) në pjesën e parë. Megjithatë, inferioriteti numerik nuk i pengoi kroatët që të
realizonin sërish në pjesën e dytë. Ishte Darijo Srna lojtari që e
shënoi golin e sigurisë (47’). Takimi i parë i zhvilluar në Islandë
ishte mbyllur pa gola. 
Përfaqësuesja e Greqisë e ka konfirmuar pjesëmarrjen në ‘KB 2014’,
pas barazimit 1-1 në ndeshjen kthyese ndaj Rumanisë. Helenët patën
fituar me rezultat 3-1 në sfidën e parë.
/Telegrafi/
|