Main » 2013 » Korrik » 8 » Kjo është nëna jonë, Hadixheja
20:19
Kjo është nëna jonë, Hadixheja

artikujNe jemi dëshmitarë që Zoti i madhëruar i zgjedh dhe i vlerëson disa njerëz. Ndodhin ngjarje të cilat shpesh herë na bëjnë të pyesim veten: Përse të mos isha unë në vend të filanit? Përse duhej të ishte filani në atë vend dhe jo unë?

Të të zgjedhë ty Zoti dhe të të përdorë për të përçuar mesazhin islam është një nga mirësitë më të mëdha. Të të zgjedhë Zoti që t'u mësosh njerëzve Kuranin, t'u rrëfesh rrugën e drejtë, t'i udhëzosh dhe t'i orientosh drejti islamit, padyshim që është një privilegj.

Në shumë ajete, Zoti përmend pikërisht këtë përzgjedhje të disa njerëzve.

Thotë Zoti:"Allahu i zgjodhi Ademin, Nuhun, familjen e Ibrahimit dhe

familjen e Imranit mbi të gjithë njerëzit (e kohës së tyre)." (Al Imran, 33)

Një përzgjedhje e tillë, e bën besimtarin t'a shtojë përgjërimin dhe lutjen, që Zoti t'a zgjedhë dhe t'a përdorë për gjëra të dobishme.

"Ai ju ka zgjedhur" (Haxh, 78)

"Zoti tha: "O Musa! Unë të kam zgjedhur ty mbi të tjerët" (Araf, 144)

Zoti zgjodhi Ademin a.s dhe e nderoi duke e bërë mëkëmbës të jetës në tokë. Thotë Zoti në Kuran:"

"Kur Zoti yt u tha engjëjve: "Unë do të krijoj një mëkëmbës (që do të zbatojë ligjet e Zotit) në tokë” (Bekare, 30)

Ai ka zgjedhur Nuhun a.s, familjen e Ibrahimit a.s dhe familjen e Imranit. Ai ka zgjedhur umetin e Muhamedit a.s dhe nga ky umet.

"Ju jeni populli më i mirë i dalë për njerëzimin: (sepse) ju urdhëroni që të bëhen vepra të mira, i ndaloni të këqijat dhe besoni Allahun." (Al Imran, 110)

Nga umeti musliman, Zoti ka zgjedhur si njerëzit më të mirë, shokët e Profetit a.s.

Thotë Profeti a.s për sahabet:"Brezi më i mirë (i njerëzve) është brezi im."

Kurse ditën kur i dhanë besën për luftë nën pemë, u tha:"Sot ju jeni njerëzit më të mirë mbi tokë."

Zoti bëri dhe një përzgjedhje tjetër, ku zgjodhi familjarët e Profetit a.s.

"O Familje e Profetit! Në të vërtetë, Allahu do që ta largojë prej jush papastërtinë dhe t’ju pastrojë plotësisht." (Ahzab, 33)

Nga familjarët zgjodhi gratë e tij, ku thotë:"

"O gratë e të Dërguarit! Ju nuk jeni si gratë e tjera." (Ahzab, 32)

Nga gratë e Profetit a.s, Zoti zgjodhi Hadixhen. Thotë Profeti a.s për të:"Gruaja më e mirë nga gjithë gratë e botës është Merjeme vajza e Imranit dhe Hadixheja vajza e Huvejlid-it."

Secili prej nesh, po t'a studiojë jetën e tij, do të gjejë se është zgjedhur shumë herë nga ana e Zotit. Nga gjashtë miliardë e gjysëm banorë të tokës, ty o vëlla dhe oj motër, Zoti të zgjodhi dhe të bëri musliman. Nga gjithë muslimanët, Zoti të zgjodhi dhe t'a bëri fenë të dashur. Nga të gjithë ata që e duan fenë, ty të zgjodhi dhe të bëri nga ata që i falen dhe e adhurojnë Zotin.

Nëse dhe ti e dëshiron, të zgjedh më shumë dhe të përdor për të udhëzuar njerëzit në rrugën e tij.

 Familja e Hadixhe bintu Huvejlid

 Emri i plotë i hadixhes është: Hadixhe bintu Huvejlid bintu Ibni Esed ibnu Abdul Uzza ibnul Kusaj. Kështu, ajo takohet me Profetin a.s tek gjyshi Kusaj.

Emri i plotë i Profetit a.s është: Muhamed ibnu Abdullah ibnu Abdul Mutalib ibnu Hashim ibnu Abdil Menaf ibnu Kusaj.

Nëna e Hadixhes quhej Fatime dhe takohet me Profetin a.s tek gjyshi i shtatë Luej. Kështu, ajo ishte gruaja më e afërt e Profetit a.s, për nga preardhja. Duke qenë se Profeti a.s e deshte shumë Hadixhen, emrin e nënës së saj ia vuri vajzës, Fatimes.

Profeti a.s nuk e pati problem dhe nuk u ndie keq që vajzës së tij, t'i lërë emrin e vjehrës. Pasardhësit e vetëm të Profetit a.s, janë pikërisht nga vajza e tij Fatimeja.

 Tipare dhe cilësi të Hadixhes

 Sa herë që përmendet emri i Hadixhe bintu Huvejlid, secilit prej nesh i vijnë ndërmend disa vlera dhe cilësi të saj. Ndër këto cilësi janë:

Nderi dhe pastërtia morale, pozita e lartë shoqërore, statusi i lakmueshëm, gruaja më e famshme në Meke, arsye dhe llogjikë e barabartë me atë të dhjetëra burrave, urtësi, pjekuri dhe natyrë e pastër.

Shumë gra të cilat shquhen për inteligjencë dhe zgjuarsi, mashtrohen nga aftësitë e tyre dhe kalojnë në agresivitet ndonjëherë. Kjo nuk ndodhte me Hadixhen. Edhe pse ajo ishte shumë inteligjente dhe e zgjuar, këtë e kishte të përzierë me urtësi, pjekuri dhe dashamirësi të pakrahasueshme. Veç kësaj, karakterizohej nga një natyrë origjinale dhe kretësisht e pastër besimi.

Shumë gra e kanë të vështirë të harmonizojnë mes cilësive dhe tipareve. P.sh, ka gra shumë të bukura dhe të hijshme fizikisht. Ky lloj, e ka shumë të vështirë të ambjentohet me besimin në Zoti dhe rregullat e fesë. Kjo, pasi duke qenë të ndërgjegjshme për bukurinë e tyre, sillen dhe veprojnë gjëra për të tërhequr vëmendjen e të tjerëve. Ndonjëherë, mund të jetë e bukur dhe e brishtë, por nuk ka asnjë gram inteligjencë dhe mençuri. Ndonjëherë mund të jetë shumë inteligjente dhe e zgjuar, por kjo e bën të përplaset me të shoqin shpesh herë. Duke qenë e ndërgjegjshme mbi aftësitë dhe inteligjencën e saj, e shpërfill burrin.

Hadixheja ishte një përzierje e cilësive dhe tipareve më të mira që mund të gjenden tek një grua. Nuk kishte asnjë grua që krahasohej me të në Meke. Nëse flasim për statusin e saj shoqëror, ajo nuk kishte rivale. Nëse flasim për pasuritë e saj, nuk përshkruhen. Nëse flasim për bukurinë e saj fizike, ishte gruaja më e bukur mes kurejshëve. Nëse flasim për llogjikën dhe arsyen, ajo karakterizohej nga një llogjikë e pazakontë. Nëse fjasim për natyrën e saj fetare, kurrë nuk ka adhuruar idhujt.

Kur Profetit a.s filloi t'i shpallej mesazhi hyjnor, ishte dyzet vjeç, kurse Hadixheja pesëdhjetë e pesë. Megjithatë, kurrë nuk ishte përulur para idhujve. Ajo i përkiste fesë së Ibrahimit, monoteizmit. Kjo ishte gruaja të cilën Zoti e zgjodhi për profetin Muhamed a.s.

Para islamit, mes kurejshëve ajo njihej me nofkën "E dëlira" që do të thotë gruaja më e ndershme. Kjo nuk do të thotë se gratë e tjera të kurejshëve nuk ishin të ndershme, por do të thotë se ajo tregonte kujdes të madh në komunikimin me burrat, duke mos lënë asnjë shteg për keqkuptime.

Kjo grua "e dëlirë" do të martohet me një burrë që deri atëherë njihej me epitetet "fjalëdrejti dhe i besueshmi". Kështu, do të bashkohej dëlirësia me besueshmërinë. Një lidhje e tillë, padyshim që do të ishte e suksesshme.

Problemi i vajzave të sotme është se nuk kanë përcaktuar cilësitë dhe tiparet e djalit me të cilin duan të martohen. Disa prej tyre kërkojnë një djalë të bukur fizikisht. Disa të tjera kërkojnë dikë të pasur. Ka dhe të tjera të cilat nuk kanë asnjë kriter për djalin me të cilin do të martohen. Kushdo që do kërkojë dorën e tyre e pranojnë.Vajzat e sotme, sidomos muslimanet, duhet të përcaktojnë kritere të qarta për personin me të cilin do të lidhin jetën.

A e dini përse divorcet janë në rritje? A e dini përse shtohen shkurorëzimet mes çifteve? Përse dëgjojmë çdo ditë fjalën divorc? Përse çiftet divorcohen pas dy tre muaj martesë?

Përgjigja e vetme është se përzgjedhja e secilit ka qenë e gabuar. Asnjëri prej të sapomartuarve nuk e ka bazuar zgjedhjen e bashkëshortit/es, në bazë të disa kritereve të caktuara.

A martohet kush sot sepse si djali dhe vajza kanë një mesazh madhor? A martohet kush sot me qëllim që të dy së bashku të ngrenë lart pishtarin e fesë? A martohet kush sot me qëllim që të lindin dhe edukojnë fëmijë që do të adhurojnë Zotin dhe lartësojnë fenë islame?

Imagjinoni një çift të cilët janë martuar pa asnjë kriter. Jo vetëm kaq, por edhe pas martese ushqehen me haram, burri kërkon që e shoqja t'i shërbejë kurse ajo i kërkon t'i sigurojë një shërbëtore, ku burri ka të dashur dhe nuk din si të veprojë...

Nëse përzgjedhja e personit me të cilin do të kalosh jetën bëhet në mënyrë të drejtë që në fillim, gjithë këto probleme nuk do të ekzistonin. Nëse do respektonim kriteret e paracaktuara nga Profeti a.s, do të shmangeshin shumë raste divorci dhe probleme familjare.

Thotë Profeti a.s:”Një grua merret për katër gjëra: Bukurinë e saj, pasurinë, farefisin dhe përkushtimin e saj fetar. Kërko atë të përkushtuarën fetarisht, t'u mbushshin duart me dhe!”

Nëse nuk je martuar me një fetare dhe të përkushtuar në besim, është njëlloj sikur të kesh mbushur duart me dhe, i cili është i pavlerë.

Gratë e Profetit a.s dhe nënat e besimtarëve, na ofrojnë kriteret më të rëndësishme në përzgjedhjen e bashkëshortes.

Nëse ti o vëlla kërkon të jesh i lumtur në jetë, martohu me atë që të ndihmon të forcosh lidhjet e tua me Zotin. Një martesë e suksesshme, nuk mund të bazohet tek flokët bjondë, sytë bojëqielli, trup të hollë dhe të gjatë për vajzat dhe as për fizik gjithë muskuj, makinë model i fundit për djemtë.

Vallë çfarë ndjen ti o motër kur dëgjon dhe lexon se Hadixheja etiketohej me nofkën "E dëlira"? Çfarë ndjen ajo motër e cila nuk e ka problem të dalë me djem, të qeshë, të bisedojë në telefon dhe internet gjer në mëngjes me djem...? A mendon se e meriton një epitet të tillë?

Dy gratë që përmenden nga Profeti a.s si gratë më të mira në të gjithë botën, janë Merjeme bintu Imran dhe Hadixhe bintu Huvejlid. Tipari dhe cilësia e përbashkët mes tyre është nderi dhe turpi.

Kur Zoti sjell si shembullin dhe modelin më të mirë për besimtaret, përmend Merjemen dhe shkakun përse ajo është modeli më i mirë.

"Edhe Merjemen, të bijën e Imranit, e cila ruajti virgjërinë e saj" (Tahrim, 12)

Ruaje veten dhe nderin o vëlla! Mos e ndot pastërtinë tënde në haram! Kije frikë Zotin, se pasojat do i vuash më vonë.

 Martesat e Hadixhes

 Para se të martohet me Profetin a.s, Hadixheja ishte martuar me dy burra. I pari quhej Akik El-mahzumij, kurse i dyti Ebu Hal El-temimij. Disa vite pasi ishte martuar me Akik El-mahzumij, ky i fundit vdiq duke e lënë Hadixhen të ve. Me Akik, Hadixheja kishte një djalë dhe një vajzë. Ajo u martua me Ebu Hal, me të cilin i lindi një djalë dhe një vajzë. Më vonë, vdiq dhe Ebu Hal.

Nga vdekja e burrit të parë, Hadixheja trashëgoi shumë pasuri. Falë inteligjencës dhe mençurisë, Hadixheja e investoi këtë pasuri në tregëti dhe e shtoi atë shumëfish.

Pasi i vdiq dhe burri i dytë, ajo qëndroi tre vite pa u martuar. Gjatë këtyre tre viteve, shumë burra nga elita dhe paria e kurejshëve i kërkuan të martohen me të, por ajo i refuzoi të gjithë. Sikur priste dikë të shtrenjtë me të cilin do të martohej.

Tre nga fëmijët e saj u martuan, kurse djali i saj Hind ebu Hal, nuk u martua veçse pasi Hadixheja u martua me Profetin a.s. Kur u martua me Profetin a.s, Hadixheja ishte dyzet vjeçe, kurse Profeti a.s njëzet e pesë.

 Si u martua Hadixheja me Profetin a.s?

 Pas vdekjes dhe të burrit të dytë, Hadixheja merrej vetë me administrimin e tregëtisë dhe të ardhurave prej saj. Duke qenë se vetë nuk dilte në tregëti, ajo zgjidhte njerëzit më të ndershëm dhe të aftë për këtë qëllim. Veç njerëzve të punësuar, ajo kishte një djalosh tek i cili mbështetej kryesisht dhe që e besonte. Ai quhej Mejsere. Pas çdo udhëtimi tregtar, ajo ulej me Mejseren dhe e pyeste mbi udhëtimin dhe ndershmërinë e personave që e shoqëronin.

Pas moshës njëzet e dy vjeçare të Profetit a.s, gjendja ekonomike e tij dhe e Ebu Talibit sa vinte dhe vështirësohej. Kështu, xhaxhai i tij Ebu Talibi vajti tek Hadixheja dhe i tha:"A pranon që t'a punësosh djalin tim (për Profetin a.s) në udhëtimet tregtare në Sham dhe Jemen?"

Hadixheja i kthen një përgjigje shumë të zgjuar. Ajo i thotë:"Këtë gjë, po t'a kishe kërkuar edhe për një person të largët dhe të panjohur, do t'a pranoja. E si të mos e pranoj për një të afërt tëndin dhe njeri të ndershëm si ai?!"

Me karvanin e parë që u nis për tregëti, Profeti a.s do të niset si përgjegjësi kryesor i mallit të Hadixhes. Bashkë me të, ishte dhe shërbëtori i Hadixhes, Mejsere. Ajo e kishte porositur që t'a vëzhgojë Muhamedin në gjithçka që bën.

Udhëtimi ishte i bereqetshëm dhe të ardhurat ishin të shumta.

Me t'u kthyer nga udhëtimi, Hadixheja e thirri Mejseren dhe i tha:"O Mejsere! Më trego gjithçka që ke vënë re tek Muhamedi!"

Mejsere iu përgjigj:"Tek ky djalosh kam vënë re gjëra të çuditshme. Gjëja e parë që pashë, është se vura re se ai shoqërohej nga një re, e cila i bënte hije kudo që shkonte. Nëse udhëtonte, ajo lëvizte sipër tij. Nëse ulej, edhe ajo qëndronte sipër. Kur e vura re diçka të tillë, mendova t'a vë në provë. Kështu, i thashë një ditë Muhamedit:"A bëjmë garë kush vrapon më shpejt?" Unë ia kalova dhe sa herë që shihja pas, reja nuk i shqitej. Edhe kur i nxehti arrinte kulmin dhe njerëzit djersinin gjatë shit-blerjes, reja qëndronte sipër tij."

Hadixheja e pyeti:"Po e dyta cila është?"

Mejsere iu përgjigj:"E dyta është edhe më e çuditshme se e para. Një ditë, e pashë duke fjetur nën hijen e një peme. Sa herë që dielli lëvizte duke goditur fytyrën e tij, pema anohej me degat e saj për t'i bërë hije. Unë mendova se kjo ndodh për shkak të erës dhe flladit që fryn nga shkretëtira. Në ato çaste, aty pranë kaloi një rabin çifut, që njihej me emrin Nestor. Ai më thirri dhe më pyeti:"Kush është ky person?"

Unë iu përgjigja:"Quhet Muhamed ibnu Abdullah. Është një nga të rinjtë e Mekes."

Ai më tha:"Nën hijen e kësaj peme, nuk është shtrirë veçse një profet."

Çudia e tretë që vura re tek Muhamedi është se kur vajtëm në tregun e Shamit të shesim dhe blejmë, erdhi një rabin çifut dhe e pyeti Muhamedin sa kushtonte një mall. Muhamedi ia tregoi sa kushtonte, por rabini i kërkoi t'a ulë. Pas disa përjekjeve, rabini i tha:"A betohesh në Latin dhe Uzanë (idhuj) që ky mall vlen kaq?"

Atëherë Muhamedi u skuq në fytyrë dhe ia ktheu:"Për Zotin nuk u jam përulur kurrë që të betohem më to."

Rabini e pa në fytyrë dhe i tha:"Atëherë do t'a blej këtë mall aq sa më the."

Më pas, rabini mu afrua dhe më tha:"O Mejsere! Mos iu ndaj këtij burri, pasi ai është profeti i fundit."

Është e çuditshme pasi emri i Mejseres nuk përmendët më që nga ky çast. Thuhet që ai vdiq para se Profetit a.s t'i shpallej zbulesa hyjnore. Sikur Zoti e kishter dërguar vetëm për të qenë dëshmitar i këtyre ngjarjeve që do të shoqëronin Profetin a.s para shpalljes.

Kur Hadixheja i dëgjoi këto fjalë, u çel në fytyrë dhe i shkëlqenin sytë. Ajo e dinte se ishte koha për ardhjen e profetit të fundit. Këtë informacion e kishte nga kushëriri i saj – djali i xhaxhait – Vereka ibnu Neufel. Ai lexonte në librat qiellorë të mëparshëm, ku përmendet ardhja e një profeti të fundit dhe këto ia tregonte edhe Hadixhes. Ai i kishte treguar mbi cilësitë e këtij profeti dhe vendin ku do të dalë. Vereka ibnu Neufel asokohe ishte i moshuar, i thinjur dhe kishte humbur shikimin.

Hadixhes i kishte ndodhur dhe diçka tjetër rreth ardhjes së profetit të fundit. Një herë, ajo ndodhej në një festë bashkë me gratë e tjera të kurejshëve. Gjatë festës, një çifut vjen dhe hyn mes grave të cilave u drejtohet me fjalët:"O kurejshë! Ka ardhur koha e profetit të fundit, prandaj kush prej jush e ka të mundur martesën, le të martohet menjëherë!"

Kur i dëgjuan këto fjalë, gratë dhe vajzat e kurejshëve mbushën duart me guralecë dhe filluan t'a gjuajnë çifutin. E vetmja që nuk e gjuajti me guralecë dhe që buzëqeshi nga këto fjalë, ishte Hadixheja.

Të gjithë këto ndodhi, e bënë Hadixhen të tregojë interes për Profetin a.s. Ajo dëshironte të martohej me Profetin a.s, por parimet e saj e pengonin që këtë t'ia shprehë direkt. Për këtë, ajo shfrytëzoi miqësinë që kishte me një grua, Nefisen. Një ditë, teksa po bisedonin dhe qanin halle, Nefiseja e pyeti:"Të shoh të shqetësuar dhe të menduar. Çfarë ke?"

Hadixheja i tha:"Ka të bëjë me Muhamed ibnu Abdullah. Nuk kam parë burrë tjetër si ai. Ai është i mënçur dhe zemërgjerë, i fisshëm dhe sojli, fjalëdrejtë dhe i besueshëm. Mbi të gjitha, ai do të ketë një të ardhme të lavdishme. Unë e ndjej thellë në zemër se ai do të jetë profeti i fundit."

Shohim që personi i parë që e ndjeu se Muhamedi a.s do të jetë profeti i fundit, ishte Hadixheja, një grua.

Ti o motër je më pranë Zotit se burri. Kjo për shkak se zemra jote është më e pasur me ndjenja dhe emocione se burri. Ajo që pritet prej teje është që të hedhësh hapin e parë drejt Zotit. Kur një grua është e lidhur me Zotin, është më e mirë dhe më e dobishme se njëqind burra. Por kur një grua është larg Zotit, është më kollaj të lëvizësh një mal, se të bindësh këtë grua.

Duke i kuptuar ndjenjat e Hadixhes karshi Muhamedit a.s, Nefiseja i tha:"Uroj që të jetë bashkëshorti yt në të ardhmen! A më lejon që t'a rregulloj unë këtë çështje?"

Hadixheja ia ktheu:"Mirë o Nefise."

Le t'a komentojmë pak këtë ndodhi. E para, Hadixheja, kur kërkoi dikë për t'u martuar, kërkoi një person që plotësonte disa kritere morale. Ajo nuk kërkoi një burrë muskuloz, të pashëm, me flokë të lyer me xhel, me sy bojë qielli etj… siç ndodh rëndom me shumë vajza sot.

E dyta është se Hadixheja ndjeu diçka për Profetin a.s. Ajo që dua të theksoj me këtë rast është se të duash dikë nuk është turp. E rëndësishme është si t'a trajtosh këtë ndjenjë, do t'a kontrollosh në kufinjtë e të lejuarës, apo do i heqësh frerin duke mos pyetur për hallall dhe haram.

Sot ka shumë të rinj dhe të reja të cilët në emër të dashurisë abuzojnë dhe i tejkalojnë kufinjtë. Problemi nuk është tek ndjenja e dashurisë, por është tek mënyra si e shprehim atë. Hadixheja ndjeu diçka në zemër kundrejt Profetit a.s, por kjo ndjenjë u ruajt e pastër dhe nuk u abuzua me të.

Nga kjo ndjenjë dashurie, lindi një martesë e suksesshme. E dëlira, u martua me fjalëdrejtin dhe të besueshmin. Një lidhje e tillë martesore padyshim do të funksionojë më së miri. Kjo, pasi ajo është bazuar në kritere të shëndoshë dhe jo në bazë të ngjyrës së flokëve, syve apo linjave të trupit.

Pasi i kuptoi ndjenjat e Hadixhes karshi Profetit a.s, Nefiseja e takoi një ditë dhe e pyeti:"O Muhamed! Përse nuk martohesh?"

Profeti a.s iu përgjigj:"Nuk i përballoj dot shpenzimet e martesës."

Nefiseja e pyeti:"Po nëse të garantohet kjo dhe gjen një grua të bukur, të ndershme, të fisshme dhe të moralshme, a do të pranoje?"

Profeti a.s pyeti:"E kush qenka kjo?"

Nesibeja iu përgjigj:"Hadixhe bintu Huvejlid."

Profeti a.s e pyeti:"A pranon ajo?!"

Nefiseja u përgjigj:"T'a pyes njëherë."

Menjëherë Nefiseja vajti tek Hadixheja dhe e përgëzoi për përgjigjen e Muhamedit.

Kur vajti t'i tregojë Profetit a.s, i tha:"Më tha Hadixheja:"E ku mund të gjej njeri më të të moralshëm dhe të fisshëm se Muhamedi?!"

 Historia më e bukur e dashurisë.

 Për mua, kjo është historia e dashurisë më e mrekullueshme në histori. Sot thuhet që historia më e bukur e dashurisë është ajo mes Romeos dhe Zhulietës. Kurse mes arabëve, historia më e bukur është ajo mes Kajsit dhe Lejlas. Kjo, edhe pse si Romeo dhe Zhulieta, ashtu dhe Kajsi me Lejlan, u ndanë dhe nuk u martuan.

Historia e vetme ku dashuria dhe besimi jetuan për njëzet e pesë vite jetë bashkëshortore është ajo mes Profetit a.s dhe Hadixhes. Madje, jo vetëm gjatë jetës bashkëshortore, por edhe pesëmbëdhjetë vite pas vdekjes së Hadixhes, Profeti a.s ruante të njëjtat ndjenja për Hadixhen.

 Martesa dhe jeta bashkëshortore

 Ai që vajti të kërkojë dorën e Hadixhes, ishte xhaxhai i Profetit a.s, Ebu Talibi. Kurse ai që mbuloi shpenzimet e martesës, ishte xhaxhai tjetër Hamzai. Personit që iu la kujdestaria e Hadixhes për aktin e martesës ishte Vereka ibnu Neufel, kushëriri i Hadixhes.

Hadixheja do të jetojë përkrah Profetit a.s për njëzet e pesë vite. Pesëmbëdhjetë vitet e para, do të jenë para se Profetit a.s t'i shpallet Kurani. Kurse dhjetë vitet e mbetura, pas shpalljes së Kuranit.

Është e çuditshme sepse për pesëmbëdhjetë vitet e para që Hadixheja kaloi me Profetin a.s, nuk ka shumë informacion. Ajo që thuhet është se çiftit i lindën tre djem dhe katër vajza. Djemtë që u lindën janë: El-kasim, Abdullah dhe Tahir. Kurse katër vajzat janë: Zejneb, Rukaje, Umu Kulthum dhe Fatime.

Gjatë pesëmbëdhjetë viteve të parë, Hadixheja u ishte përkushtuar edukimit të fëmijëve. Ajo merrej me edukimin dhe kujdesjen jo vetëm të fëmijëve të saj. Ishte ajo që e edukonte dhe përkujdesej për Ali ibnu Ebi Talquot;Brezi më i mirë (i njerëzve) është brezi im.ibin, Zejd ibnu Harithe, Zubejr ibnu Avam, Hind ibnu Ebi Hal i cili e mbrojti Profetin a.s në Uhud.

Hadixheja lindi dhe edukoi Fatimen, e cila njihet si gruaja më e mirë e banorëve të xhenetit. Ajo është gjyshja e Hasenit dhe Husejnit, djelmoshave më të mirë të banorëve të xhenetit. Ajo edukoi Ali ibnu Ebi Talibin, të cilit Profeti a.s i thoshte:"Tek unë, ti gëzon statusin që kishte Haruni tek Musai."

Ajo edukoi Zubejr ibnu Avamin, shokun e Profetit a.s, një ndër dhjetë të përgëzuarit me xhenet dhe muslimani i parë që kapi shpatën në mbrojtje të fesë.

Ajo edukoi Zejd ibnu Harithe të cilin e donte shumë Profeti a.s dhe që në betejën e Mu'te-s do të bjerë shehid.

Po ti oj motër kë pret të lindësh dhe të edukosh? Përse gratë e sotme muslimane nuk merren me edukimin e brezave të tillë? Përse të mos kemi Hadixhe edhe sot?

Hadixheja edukoi dymbëdhjetë fëmijë, ku gjysma nuk ishin fëmijët e saj. Ajo kurrë nuk iu ankua Profetit a.s se Aliu apo dikush tjetër duhej të largoheshin nga shtëpia, pasi nuk ishin fëmijët e saj.

Jo vetëm që merrej me edukimin e fëmijëve dhe punët e saj të përditshme, por çdo ditë do të udhëtonte drejt shpellës Hira, ku gjendej i shoqi, për t'i çuar ushqim dhe për t'i larguar mërzinë. Ajo nuk dinte gjë mbi fenë, nuk e kishte parë Xhibrilin a.s, megjithatë i qëndronte në krah të shoqit. Ajo e ndjente që i shoqi kishte një mesazh për të përçuar, prandaj nuk iu ankua kurrë.

O motër! Mos prano të martohesh veçse me dikë që ka një mesazh dhe mision për të përmbushur! Nëse je martuar me një njeri të tillë, qëndroji pranë dhe ndihmoje me ç'të mundesh. Mësoje diçka të tillë nga nëna jote, Hadixheja. Ajo edukonte dhe kujdesej për fëmijët, pregatiste ushqimin dhe dilte në mëngjes herët për t'ia çuar Profetit a.s në shpellën Hira. Kurrë nuk u demoralizua, kurrë nuk i tha:"Mjaft o Muhamed se u lodha!"

A e kuptoni tani përse e deshti shumë Profeti a.s? A e kuptoni përse është gruaja më e mirë ndër gratë e kësaj bote dhe të xhenetit?

Gjithë këto sakrifica, i bënte edhe pse të shoqit nuk i ishte shpallur akoma mesazhi hyjnor.

 I shoqi shpallet i dërguar i Zotit

 Tashmë, i shoqi i Hadixhes ka mbushur dyzet vjeç, kurse ajo vetë është pesëdhjetë e pesë. Profeti a.s tregon mbi çastet kur iu shfaq Xhibrili a.s për herë të parë në shpellën Hira. Thotë Profeti a.s, duke përshkruar këto çaste:"Ndërkohë që një natë ndodhesha në shpellë, meleku u shfaq para meje. Ai më kapi, më shtrëngoi dhe më tha:"Lexo!"

Unë iu përgjigja:"Unë nuk di të lexoj."

Meleku më lëshoi për pak kohë, por sërish më shtrëngoi fort, saqë mendova se do të vdes dhe më tha:"Lexo!"

Unë i thashë:"Nuk di të lexoj."

Më lëshoi dhe sërish më shtrëngoi fort, duke më thënë:"Lexo!"

Unë e pyeta:"Çfarë të lexoj?"

Ai tha:" Lexo në emrin e Zotit tënd që krijoi. Krijoi njeriun nga një copë gjaku e mpiksur. Lexo se Zoti yt është më bujari. Ai mësoi (shkrimin) me pendë. I mësoi njeriut atë që nuk e dinte. (Alek 1-5)

Pas këtyre verseteve, Xhibrili zhduket. Nga frika që e kishte pushtuar, Profeti a.s filloi të vrapojë i frikësuar për në Meke. Po ku do të shkonte? Ku do gjente prehje?

Sot, personi i fundit tek i cili do të mendohej për të kërkuar ndihmë një burrë, do të ishte gruaja. Kjo, për shkak se nuk e ka ndjerë dashurinë dhe kujdesin e saj më parë.

Profeti a.s nuk shkoi tek shoku i tij më i ngushtë Ebu Bekri. Ai nuk vajti as tek xhaxhai i tij i dashur Ebu Talibi. Ai vajti menjëherë tek e shoqja e tij Hadixheja. Ai nuk gjeti njeri tjetër më të përshtatshëm për t'i qarë hallin, se gruaja e tij Hadixheja.

Me të arritur në shtëpi, Profeti a.s i thotë Hadixhes:”Më mbuloni, më mbuloni!"

Ajo e pyeti:"Çfarë të ka ndodhur?"

Profeti a.s filloi ti tregojë gjithçka që i kishte ndodhur me hollësi derisa në fund i tha:”Për Zotin pata frikë”.

Ajo që e frikësoi më shumë, ishte se e mori melekun për xhind dhe mund t'i bënte keq.

Hadixheja ia ktheu me vendosmëri:"Jo, për Zotin! Nuk të braktis Zoti kurrë! Unë uroj që të jesh profeti i këtij umeti! Ti shkon mirë me farefisin, respekton mikun, u jep atyre që nuk kanë, ndihmon nevojtarët dhe përkrah fatkeqët."

Ti o Muhamed je krahu i djathtë i fukarenjve dhe hallexhinjve, si të të braktisë dhe zhgënjejë Zoti ty?!

Pasi u qetësua pak, Hadixheja e mori për dore dhe të dy vajtën tek Vereka ibnu Neufel. Hadixheja i tha:"O kushëriri im! Dëgjoje çfarë thotë Muhamedi!"

Pasi Profeti a.s i rrëfeu gjithçka që i kishte ndodhur, Vereka ibnu Neufel thirri:"Ky është Ligji që i është shpallur Musait a.s dhe Isait a.s. Ai ka qenë meleku Xhibril a.s. Ti je profeti i këtij umeti. Ah sikur të isha i ri kur të të dëbojë populli yt!"

Profeti a.s e pyeti i hutuar:"Do më dëbojnë?!"

Vereka ibnu Neufel u përgjigj:"Po, nuk i është shpallur kujt ajo që të është shpallur ty, pa pasur armiq."

Si Profeti a.s dhe Hadixheja, u ndërgjegjësuan për vështirësitë që i prisnin, gjatë përmbushjes së misionit hyjnor. Edhe pse ishte gati gjashtëdhjetë vjeçe, Hadixheja do të qëndrojë përkrah të shoqit të saj duke e ndihmuar me gjithçka mundej.

Përveç aktivitetit të saj propogandistik me gratë e Mekes, ajo shfrytëzonte dhe pozitën e saj sociale dhe autoritetin për të mbrojtur Profetin a.s nga dashakeqët.

Ajo blinte robër dhe i caktonte të ruajnë Profetin a.s. Përveç kësaj, ajo merrej dhe me punët e shtëpisë dhe edukimin e fëmijëve.

Dy vajzat e Profetit a.s, Rukaje dhe Umu Kulthum, ishin fejuar me dy vajzat e Ebu Lehebit. Duke dashur t'a lëndojë, Ebu Lehebi i urdhëroi djemtë që t'a prishin fejesën me vajzat e Profetit a.s dhe ashtu ndodhi. Padyshim që kjo ndodhi ishte e rëndë si për Profetin a.s ashtu dhe për Hadixhen. Megjithatë ata e përballuan me durim.

Kur muslimanët emigruan për në Etiopi, emigroi dhe vajza e saj Rukaja bashkë me të shoqin Uthman ibnu Affanin.

Një familje jeton e lumtur dhe e gëzuar, kur bashkëshortët ndajnë objektiva të përbashkët. Kurse familja më e vuajtur është ajo që burri sheh punët e tij dhe gruaja të sajat.

 Hadixheja gjatë bojkotit

 Kur Hadixheja ishte gjashtëdhejtë e dy vjeçe, kurejshët i bojkotojnë muslimanët në lagjen e Ebu Talibit. Mekasit vendosët t'i bojkotojnën ekonomikisht muslimanët, duke mos blerë prej tyre dhe duke mos u shitur asgjë. Për tre vite rrjesht, muslimanët qëndrojnë nën trysninë e kësaj embargoje. Ata filluan të ushqehen me gjethe pemës, saqë edhe jashtëqitja u ngjante si ajo e bagëtive.

Duke qenë se Hadixheja gëzonte autoritet dhe status të veçantë shoqëror, kurejshët e kishin lejuar të qëndronte në shtëpinë e saj, të blinte dhe të shesë si të dojë.

Por ajo ua ktheu:"Për Zotin nuk do të qëndroj veçse në një vend ku qëndrojnë dhe muslimanët e tjerë."

Pasuria e shumtë dhe statusi shoqëror që gëzonte, nuk e mposhtën Hadixhen. Ajo u bashkua bashkë me muslimanët e tjerë në lagjen e Ebu Talibit. Ajo duroi urinë, etjen dhe vuajtjet si të gjithë muslimanët e tjerë. Kjo, edhe pse ishte gati gjashtëdhjetë e pesë vjeçe.

Disa persona nga fisi kurejsh, duke dëgjuar mbi shëndetin e saj të lig i dërgonin ushqime. Por ajo u thoshte:"Për Zotin nuk do të ha, derisa të hanë dhe muslimanët e tjerë." Pastaj e merrte ushqimin dhe ua shpërndante muslimanëve të varfër dhe fëmijëve, duke duruar vetë urinë.

Nga kjo embargo dhe bojkot, Hadixheja doli e lodhur dhe me shëndet të ligësht.

Jo vetëm gratë mund të mësojnë nga përvoja dhe sakrificat e Hadixhes, por edhe burrat. Kush nga burrat ka bërë sa çereku i asaj që bëri Hadixheja? Kush prej nesh ka shpenzuar aq sa ka shpenzuar Hadixheja për hir të islamit?

Ajo ishte pesoni i parë që shpenzoi nga pasuria e saj për hir të islamit. Ishte e para që ofronte ndihmë dhe mbrojtje për Profetin a.s.

 Vdekja e Hadixhes

 Në moshën gjashtëdhjetë e pesë vjeçare, Hadixheja ndihej e lodhur dhe e dërmuar. Ditët e fundit të jetës së saj, ajo ishte shumë e sëmurë. Profeti a.s e ndjente që gruaja e tij e dashur po i vdiste ndër duar.

Ditën e fundit të jetës, Profetit a.s i vjen Xhibrili nga qielli. Ai i thotë:"O Muhamed! Zoti i çon selam Hadixhes dhe të thotë:"Përgëzoje Hadixhen me një kështjellë prej diamanti në xhenet ku nuk do të ndjejë as lodhje dhe as mërzitje."

Po përse duhej të zbriste Xhibrili? Përse duhej që Hadixheja t'a dinte se çfarë e pret pas vdekjes?

Kjo, me qëllim që banorët e tokës t'a dinë sa e shtrenjtë dhe sa vlerë ka tek Zoti një grua si Hadixheja.

A e ndjen tani se Hadixheja është nëna jote? A dëshiron që t'i puthësh duart në xhenet?

Atë ditë, vdiq gruaja më e dashur e Profetit a.s dhe nëna jonë Hadixhe. Edhe pse ajo vdiq, dashuria për të tek Profeti a.s nuk u shua kurrë.

Tregon Amar ibnu Jasir:"Viti që vdiq Hadixheja, u quajt viti i pikëllimit. Për Zotin, ne u frikësuam se mos i ndodh diçka të dërguarit të Zotit, për shkak të pikëllimit të madh."

 Dashuria vazhdoi edhe pas vdekjes

 Disa vite pasi Hadixheja kishte ndërruar jetë, vjen dikush dhe troket në derën e Profetit a.s. Ai ishte i shtrirë në shtëpi dhe kur dëgjoi trokitjen, iu duk si e Hadixhes. Menjëherë u ngrit në këmbë dhe duke thirrur "Hadixheja, Hadixheja!" shkoi të hapë derën. Teksa shkonte të hapë derën, thoshte:"Ishalla është motra e saj, ishalla është motra e saj!" Kur e hapi, ajo që kishte trokitur ishte motra e Hadixhes, të cilës i tha:"Mirësevjen o motra e Hadixhes!"

Një herë tjetër, kur i sollën ndihma dhe plaçkë lufte, u tha njerëzve të pranishëm:"Këto do ia shpërndani të afërmve dhe shoqeve të Hadixhes."

Duke dëgjuar Profetin a.s t'a përmendë shpesh herë emrin e Hadixhes, një ditë Aisheja i tha:"Hadixheja, Hadixheja! Sikur nuk ka njeri tjetër përveç Hadixhes!"

Profeti a.s ia ktheu:"O Aishe! Mos ma lëndo Hadixhen, pasi unë vazhdoj t'a dua. Kushdo që e don Hadixhen, e dua dhe unë."

  Ebul As ibnu Rebia burri i Zejebes – vajza e Profetit a.s dhe Hadixhes - mori pjesë në betejën e Bedrit, luftoi kundër muslimanëve dhe në fund u kap rob prej tyre. Kur ushtria e kurejshëve u kthye në Meke, Zejnebeja u doli para dhe i pyeti:”Çfarë ndodhi me babanë tim?”

Ata i thanë:”Muslimanët fituan.”

Zejnebeja, pasi ra në sexhde si shenjë falenderimi për Zotin, i pyeti sërish:”Po burri im ku është?”

Ata iu përgjigjën:”Është zënë rob nga i vjehrri.”

Zejnebeja tha:”Do të jem unë ajo që do e liroj me pasurinë time.”

Të gjithë familjet e robërve të tjerë, dërguan të hollat e mjaftueshme për të liruar të afërmit e tyre. Zejnebeja, duke qenë se nuk i posedonte të hollat e mjaftueshme, hoqi varësen e qafës, të cilën ia kishte dhuruar nëna, Hadixheja dhe e dërgoi me kunatin e saj Amr ibnu Rebia.

Profeti a.s i lironte robërit kur familjarët e tyre paguanin shumën e caktuar. Kur i erdhi varësja e mbështjellë me një pëlhurë, ai pyeti:”Për cili rob është kjo?”

Të pranishmit i thanë:”Është për Ebul As ibnu Rebia.”

Me t’a hapur, Profetit a.s filluan t’i rrjedhin lotë. Me lotë në sy ai tha:”Kjo është varësja e Hadixhes!”

Më pas, Profeti a.s qëndroi në mes të muslimanëve dhe u tha:”O njerëz! Ebul As ibnu Rebia është dhëndëri im dhe prej tij nuk më ka ardhur gjë e keqe. Si dhëndër, prej tij kam pasur vetëm të mira. Prandaj, a është e mundur që t’a lëmë të lirë dhe varësen t’ia kthejmë vajzës time Zejnebes?”

Muslimanët i thanë:”Po o i dërguar i Zotit!”

Profeti a.s ia zgjati Ebul Asit varësen dhe i tha:”I thuaj Zejnebes t’a respektojë më shumë varësen e Hadixhes.”

 Dhjetë vite pas vdekjes së Hadixhes dhe ditën që Profeti a.s me muslimanët hynë në Meke, në kohën që Profeti (a.s) ishte tepër i zënë duke u takuar me kryetarë fisesh, me muslimanë të rinj etj… ai shikon nga larg një grua të moshuar duke ardhur drejt tij. Sapo e pa, u kërkoi njerëzve t'i hapnin rrugën.

Më pas u veçua me të dhe u tha të pranishmëve:”Më falni për pak kohë”. Hoqi mantelin që kishte veshur dhe ia dha që të ulej sipër tij. Më pas u ul me të dhe filloi të bisedojë dhe të qeshë.

Aisheja r.a e shikonte nga larg e habitur. Pasi u largua gruaja e moshuar, Aisheja e pyeti: "Kush ishte ajo o i dërguar i Zotit?”

Profeti (a.s) i tha:”Ajo ishte shoqja e Hadixhes” – ishte shoqja e gruas që i kishte vdekur para dhjetë vitesh.

Aisheja e pyeti përsëri:”Po çfarë biseduat o i dërguar i Zotit”?

Profeti a.s ia ktheu:”Kujtuam ditët e bukura, kur ishte Hadixheja gjallë”.

Aisheja i tha:"A akoma e përmend atë plakë që tashmë është në varr, ndërkohë që Zoti të ka dhënë një grua më të mirë (për veten)?"

Profeti a.s ia ktheu i zemëruar:"Jo për Zotin! Nuk më ka dhënë Zoti grua më të mirë se Hadixheja. Ajo pranoi islamin kur të gjithë e refuzuan, ajo më besoi kur të gjithë njerëzit më përgënjeshtruan, ajo më mbështeti me pasurinë e saj, kur të gjithë më braktisën, Zoti më dha fëmijë me Hadixhen, ndërkohë që këtë nuk e kam me gratë e tjera."

Aisheja u ndje ngushtë nga këto fjalë dhe i tha:"Kërko falje për mua o i dërguar i Zotit!"

Profeti a.s ia ktheu:"Jo. Derisa të kërkosh ti falje për Hadixhen."

Jam i bindur se një dashuri dhe besnikëri e tillë për bashkëshorten nuk gjendet tek askush tjetër.

Thotë Profeti a.s në një hadith:"Nga gratë, nuk janë përsosur veçse katër: Merjeme bintu Imran, Asija bashkëshortja e Faraonit, Hadixhe bintu Huvejlid dhe Fatime bintu Muhamed."

Në një hadith tjetër, Profeti a.s thotë:"Gruaja më e mirë nga gjithë gratë e botës është Merjeme vajza e Imranit dhe Hadixheja vajza e Huvejlid-it."

Hadixheja u përgëzua me xhenet, para se të përgëzohet çdo njeri tjetër.

Kjo ishte nëna jonë e dashur Hadixhe.

 /ao/

Category: Artikuj Islam | Views: 343 | Added by: Kushtrim_Guraj | Rating: 0.0/0
Total comments: 0
Name *:
Email *:
Code *:
Block title
Komuna Dragash-it
komuna_dragash_radio_sharri


www.opoja.net
EDHE TI MUND TA SJELLËSH LAJMIN NË "OPOJA.NET"
Apo nëse keni propozim për ndonjë temë interesante, na thirreni në tel.:045/622 653, apo na shkruani në e-mail: opoja.net@live.com
Moti në opojë

OPOJA

Reklama Juaj!□■□■□■□■□ opoja.net@live.com
Marketing




Kliko ketu per ta shkarkuar fletepalosjen "Vetekontrolli i Gjinjeve"
Foto & Video
Fotografia e Javës //mw2.google.com/mw-panoramio/photos/medium/65786457.jpg Video e Javës
Publicitet

Facebook
dita e flamurit
Gjithësej Vizitorë

Gjithësej ne Linje: 1
Publikues: 1
Perdorues: 0
Total Vizitorë: