Main » Articles » Fakte Personalitete

Bejtullah Destani, personalitet i merituar Opojan

Bejtullah destaniPopulli që nuk e njeh të kaluarën e tij nuk do të ketë të ardhme të ndritur. Si bleta punëtore, për plot dy dekada ai me përkushtim ka hulumtuar arkivat dhe muzetë angleze, me qëllim që të ndriçojë shumë çështje nga historia e kultura shqiptare. Përkundër të gjitha sfidave, ai premton se një veprimtari të tillë do ta vazhdojë edhe në të ardhmen. E takova kohë më parë në fshatin e tij të lindjes, në Blaq të Opojës. Shkak i ardhjes së tij nga Londra në vendlindje ishte promovimi i një libri të Qendrës për Studime Shqiptare, në Prishtinë. Fliste me ngazëllim për punën e tij të palodhshme gjatë hulumtimit 15 vjeçar të së kaluarës shqiptare në muzetë dhe arkivat angleze, për Qendrën për Studime Shqiptare, të cilën e ka themeluar dhe ende e drejton, për shumë projekte të realizuara, si dhe planet dhe vizionet e tij në të ardhmen.

 

Megjithatë, fytyra e tij prej studuesi sikur ndërron pamjen kur fillon të flasë për vështirësitë e shumta financiare në realizimin e projekteve të shumta të realizuara dhe të parealizuara. Kësaj Qendre, e cila gjatë 15 vjetëve të kaluar ka arritur që të realizojë më shumë projekte lidhur me historinë dhe kulturën shqiptare, se sa që kanë bërë institucionet qeveritare të Kosovës e Shqipërisë, i mungon në tërësi mbështetja institucionale, qoftë ajo edhe morale. Dhe natyrisht që kjo e ka zhgënjyer, por që nuk e ka thyer, ngase ai në asnjë çast nuk mendon që të ndalet, duke premtuar njëherit se edhe në të ardhmen do ta vazhdojë punën e filluar me përkushtim të plotë, përkundër të gjitha sfidave të mundshme, me të cilat qysh tani është duke u përballur.

Kush është Bejtullah Destani?

Është lindur para 5 dekadash, në fshatin e bukur Blaq të Opojës, komuna e Dragashit. Mësimet e para i kryen në fshatin e lindjes, ndërsa të mesmet në gjimnazin e Dragashit. Më pas regjistrohet në fakultetin e Shkencave politike, në Beograd. Pasi i mbaron me sukses këto studime punësohet në Qendrën e Studimeve Strategjike të Institutit të Politikës dhe Ekonomisë Ndërkombëtare, në Beograd, ku i jepet rasti që të shpalosë mjaft dokumente, lidhur me çështjen shqiptare, në arkivat e organeve më të larta të ish Jugosllavisë. Dhe, e tëra kjo sikur ishte vendimtare në përcaktimin e rrugës së mëtejme të këtij politikologu të zellshëm. Kështu, më 1986 ai boton librin "Bibliografia selektive e librave për Shqipërinë (1850- 1984)”, në të cilin përfshihen punimet e 560 autorëve, të shkruar në rreth 20 gjuhë të botës. Pasi që ky libër pritet mirë nga studiuesit e ndryshëm, pasojnë edhe disa punime të tjera, ndërkaq cenzura e atëhershme nuk lejon publikimin e punimit të tij "Marrëdhëniet jugosllavo- shqiptare 1941-1971”, ngase kjo nuk i pëlqente Akademisë Serbe të Shkencave e Arteve dhe pushtetit shovenist serbomadh, për shkak të të vërtetave historike që përmbante ky punim.

Hulumtimet e vërteta vazhdohen në Londër. Për shkak të rrethanave të krijuara në Beograd, në fillim të viteve të tetëdhjetë, ai vlerëson se qëndrimi i tij i mëtejmë aty ishte i vështirësuar dhe mjaft i rrezikshëm, andaj largohet përgjithmonë dhe merr rrugën e perëndimit. Ndalet në Londër, ku ishte i detyruar që të bëjë punë të ndryshme fizike, mirëpo dëshira e tij e flaktë për të hulumtuar, nuk e linte të qetë asnjë çast. Provokim për te ishin arkivat e pasura angleze, fare pak të hulumtuara nga shqiptarët. Kjo do të thotë se ai nuk shkoi krejt rastësisht në këtë shtet të civilizuar. "Unë nuk e kam filluar këtë punë i pari, por e kam vazhduar punën e palodhur të studiusve tanë të njohur, Arben Puto dhe Skënder Riza. Dihet mirëfilli se Londra asokohe ka qenë një qendër e njëmendët e politikës ndërkombëtare. Aty është vulosur fati i shumë popujve”, shprehet Destani, duke pohuar se aty, ai gjen shansin e mirë që në arkivat dhe muzetë e këtij vendi të njihet me dokumente të çmueshme, ende të pazbuluara, të cilat hedhin dritë mbi të kaluarën e shqiptarëve. Pasi që studion shumë dokumente të tilla, ai konstaton se "ndonëse ekziston bindja se pushtetarët anglezë, në të kaluarën ishin në pozita antishqiptare, dokumentet që kam ndeshur nuk janë të gjitha në favor të kësaj bindjeje”, pohon Destani, duke shtuar se shumë dokumente të tilla përkundrazi ishin në favor të shqiptarëve”. Në këtë kontekst ai veçon lordët Ficmauric dhe Goshen, diplomatë të njohur anglezë që asokohe kërkuan një Shqipëri etnike, si dhe diplomatë të tjerë që i ndihmuan çështjes shqiptare. "Në veçanti duhet të shquhet kontributi i Miss Edit Durham, e cila me shkrimet e saj sensibilizoi opinionin anglez e botëror për problemin shqiptar. Asaj i kemi shumë borxh, andaj duhet që ta bëjmë të pavdekshme për ne”, ka spikatur Destani, ndërkaq në vazhdim nënvizon se periudha e historisë më të re dëshmon për kontributin e autoriteteve angleze në zgjidhjen e problemit të Kosovës. 

Në mesin e shumë dorëshkrimeve të vjetra, ai ka gjetur një letër të Skënderbeut (1467) në latinisht, të cilin ai ia kishte adresuar sulltanit. Atje ai ka hasur edhe në dokumente që dëshmojnë praninë shqiptare në Dalmaci, si dhe shumë dokumente të tjera. Dëshmi për masakrat serbe Destani, në vazhdim pohon se në Angli ka shumë dokumente edhe për periudhën e Lidhjes së Prizrenit, të cilat nuk janë publikuar më parë, për Kongresin e Berlinit si dhe dokumente të tjera që flasin për shumë masakra serbe në trojet shqiptare, siç janë ato në Gjelekare, Ferizaj, Shkup, Tetovë, Gostivar, Dibër, Tërstenik, Smirë, Vërban, Komogllavë, Prishtinë, Prizren, në fshatrat opojare etj. Nga këto dokumente angleze dëshmohet se vetëm brenda 6 muajve asokohe në Kosovë janë vrarë mbi 25 mijë shqiptarë (1913). Janë këto dokumente të kompletuara nga ky studiues i pasionuar. Ai, në veçanti ishte i befasuar me dokumentet e shumta që i ka gjetur në Arkivin e Uellsit, të cilat flasin për çështjen shqiptare gjatë periudhës 1908- 1948. Në të shumtën e rasteve, janë këto letrat e personaliteteve shqiptare, adresuar Parlamentit Britanik (duhet veçuar letrat e Ismail Qemalit, Fan Nolit, Isa Boletinit , Hasan Prishtinës, Mithat Frashërit, Ahmet Zogut etj). Në këtë kontekst, sipas tij, duhet përmendur një koleksion të tërë memorandumesh e letrash tjera të Hasan Prishtinës. Pos arkivave e muzeve, ai ka hasur dokumente të rëndësishme për historinë e kulturën shqiptare edhe te disa personalitete të shquara angleze. Me këtë rast ai veçon kryetarin e Shoqatës Anglo-Shqiptare, Hari Haxhkinson, i vdekur para 16 vjetësh. "Tek ai kam gjetur shumë shkrime për shqiptarët në gazetat e kohës, si dhe libra e publikime të tjera. Ai kishte shkruar vetë edhe një libër për Skënderbeun dhe disa tekste për Kosovën e Shqipërinë”, shprehet Destani, duke cituar në vazhdim edhe mjaft personalitete tjera angleze e shqiptare, tek të cilët ka gjetur mjaft materiale interesante, të cilat më parë nuk e kanë parë dritën. Sa i përket Konferencës së Paqes në Paris (1919), Destani thekson se "ekziston një fond i veçantë dëshmish për të. Kam gjetur të gjitha memorandumet e delegacioneve e personaliteteve shqiptare pjesëmarrës në këtë konferencë, por edhe të atyre që i kanë shkruar kësaj konference”, thotë ai, dhe shton se në veçanti janë interesante memorandumet e Kolonisë Shqiptare të Amerikës, të cilat dëshmojnë për rolin vendimtar të saj në aspektin propagandistik të problemit shqiptar. Ai në fund rrëfen se ka planifikuar që së shpejti të botohet nga kjo Qendër edhe libri ”The Origin of Pelasges”, shkruar nga Vaso Pasha, në bashkëpunim me Royal Society of Literature, dorëshkrim ky nga viti 1891, e që është zbuluar tani. "Ky dorëshkrim i Vaso Pashës hedhë një dritë të re, duke evituar disa paqartësi e paragjykime lidhur me veprimtarinë e këtij rilindasi tonë të madh”, konstaton Destani. Qendra për Studime Shqiptare, me seli në Londër, të cilën e drejton ai, deri tash ka botuar dhjetra libra në gjuhën angleze, lidhur me historinë, politikën dhe kulturën shqiptare. E tëra kjo është finansuar nga paga e tij dhe donacionet nga miqtë e të njohurit e tij, gjë që, sipas tij, nuk mund të përballet përgjithmonë, andaj është më se e nevojshme mbështetja institucionale. Ndërkaq, të interesuarit për këto vepra të botuara nga kjo Qendër, mund të klikojnë link http// www. Ibtauris. com /ibtauris/ search.asp dhe të futin në ‘Keyword search’. Albania dhe Albanian dhe në këtë mënyrë mund të shohin listën e librave të botuar, të cilët mund të blehen direkt nga kjo shtëpi botuese dhe në këtë mënyrë të ndihmohet kjo qendër që ka bërë aq shumë për ndriçimin e të kaluarës shqiptare. Vetëm në këtë mënyrë mund të vazhdohet veprimtaria e saj edhe në të ardhmen. Është kjo porosia e Destanit për lexuesit. Destani, në këtë drejtim ka qenë shumë aktiv edhe gjatë viteve të nëntëdhjetë, kur mund t’i rrezikohej edhe jeta, ndërkaq tani nuk e ka ndërmend që t’i ndahet kësaj pune, përkundër shumë vështirësive të ndryshme, ngase kjo tani është bërë pjesë e jetës së tij. Është kjo filozofia e tij jetësore, pa marrë parasysh se puna e tij çmohet pak ose aspak nga institucionet shqiptare, këndej e andej kufirit. Sido që të jetë, një gjë është e qartë: këtij studiuesi dhe hulumtuesi të zellshëm të së kaluarës shqiptare i kemi mjaft borxh. Dhe, sa më parë që kjo të kuptohet, do të jetë më mirë jo vetëm për të, po edhe për historinë dhe kulturën e përgjithshme shqiptare. Në të kundërtën "do të na gjykojnë fëmijët tanë dhe fëmijët e fëmijëve tanë”…


Category: Fakte Personalitete | Added by: Kushtrim_Guraj (20 November 2013)
Views: 643 | Rating: 0.0/0
Total comments: 0
Name *:
Email *:
Code *:
Block title
Komuna Dragash-it
komuna_dragash_radio_sharri


www.opoja.net
EDHE TI MUND TA SJELLËSH LAJMIN NË "OPOJA.NET"
Apo nëse keni propozim për ndonjë temë interesante, na thirreni në tel.:045/622 653, apo na shkruani në e-mail: opoja.net@live.com
Moti në opojë

OPOJA

Reklama Juaj!□■□■□■□■□ opoja.net@live.com
Marketing




Kliko ketu per ta shkarkuar fletepalosjen "Vetekontrolli i Gjinjeve"
Foto & Video
Fotografia e Javës http://mw2.google.com/mw-panoramio/photos/medium/65786457.jpg Video e Javës
Publicitet

Facebook
dita e flamurit
Gjithësej Vizitorë

Gjithësej ne Linje: 1
Publikues: 1
Perdorues: 0
Total Vizitorë: