Main » 2013 » Nentor » 20 » Dashuria për xhenetin
04:15
Dashuria për xhenetin

Po të studiojmë jetën e shokëve të profetit Muhamed a.s do gjejmë se ato sakrifikonin gjithçka, duke filluar nga vetja e tyre, pasuria, familja dhe çdo gjë që posedonin për hir të fesë. Kjo sakrificë e madhe na detyron që të mendojmë se çfarë vallë kishte mbjellë Profeti a.s në zemrat e tyre, që të sakrifikonin kaq shumë? Çfarë vallë e kishte bërë Suhajb Er-rumij, që ishte një romak i ardhur në Mekë, ku kishte vënë pasuri dhe në kohën kur Profeti a.s i kishte urdhëruar myslimanët të emigronin për në Medine edhe ky u nis për t’iu bindur urdhrit të Profetit a.s duke mbushur 10 deve me pasurinë e tij. Paria e Mekës e takon në rrugë dhe e pyet se për ku ishte nisur. Ai u përgjigjet se ishte nisur për në Medine, që të bashkohej me Profetin dhe myslimanët e tjerë. "Kur erdhe tek ne ishe fakir dhe mes nesh u pasurove. Tani kërkon të marrësh pasurinë dhe të largohesh?! Nëse dëshiron që të shkosh në Medine, lëre pasurinë bashkë me devetë këtu dhe largohu!” - i thanë mekasit.

"Për Zotin - u thotë Suhejbi - nëse ua lë pasurinë, a më lejoni të shkoj?”

"Po!” - i thanë, duke menduar se nuk do e linte gjithë atë pasuri dhe të shkonte i vetëm.

"Merreni pasurinë bashkë me dhjetë devetë dhe më lini të shkoj”. - u tha ai.

"Duam edhe kalin që e ke për të udhëtuar”. - i thanë mekasit.

"Merreni dhe atë!” - ua ktheu Suhejbi.

"Duam edhe xhyben që e ke veshur” - i thanë.

"Merreni dhe xhyben!” - u tha dhe u nis i vetëm, pa pasurinë që kishte grumbulluar deri atëherë. Kur arriti në Medine dhe u takua me Profetin a.s, ai i tha: "Tregtiajote ishte me fitim, o Suhejb!”

Çfarë vallë i kishte bërë Profeti a.s këtij njeriu, që të linte tërë pasurinë që kishte fituar vetëm për t’u lënë i lirë për të vajtur tek Profeti a.s? Çfarë kishte mbjellë Profeti a.s në zemrat e këtyre myslimanëve, që kur dikujt prej tyre i ngulej shtiza në shpinë dhe i dilte tek gjoksi, në vend që të ulërinte nga dhimbja dhe t’i vinte keq që do të vdiste, ai thërriste i gëzuar: "Fitova, për Zotin! Fitova, për Zotin!”

Ajo që u kishte bërë Profeti a.s këtyre njerëzve ishte se kishte mbjellë në zemrat e tyre dashurinë për botën tjetër, ose më saktë dashurinë për xhenetin. E kishte mbjellë në zemrat e tyre ashtu siç mbillet bima në tokë.

Kjo botë është mashtrim dhe iluzion. Të mirat materiale të saj, në krahasim me xhenetin janë si ëndrra me realitetin. Jeta e kësaj bote është shumë e shkurtër, prandaj mbushe me bindje dhe adhurim për Zotin, që të fitosh lumturinë e amshuar në xhenet.

Nëse nuk i mbushim zemrat tona me dashurinë për xhenetin, nuk do të mund të triumfojmë ndaj sfidave që na presin. Unë si i ri duhet ta flej mendjen që jetën e kësaj bote ta bëj vetëm për Zotin dhe konform kënaqësisë së Tij.

Nga gratë e Medines ishte e sëmurë nga epilepsia. E lodhur nga kjo sëmundje, ajo vajti tek Profeti a.s dhe i tha:"O i dërguar i Allahut! Unë jam e sëmurë me epilepsi dhe herë pas herë e humbas vetëdijen. Lute Zotin që të më shërojë!"

Profeti a.s i tha:"Nëse dëshiron, unë e lus Zotin të të shërojë, por mund edhe të durosh dhe të fitosh xhenetin."

Duke dëgjuar për xhenetin, ajo i tha:"Jo, do të duroj dhe të fitoj xhenetin."

Profeti a.s u tha të pranishmëve më pas:"Kush dëshiron të shohë një nga banorët e xhenetit, le të shohë këtë grua."

Një herë tjetër, u thotë shokëve të tij në xhami:"Tani do të hyjë në xhami një burrë që është nga banorët e xhenetit." Të gjithë shokët e tij tregojnë kureshtie për të zbuluar mbi atë vepër që e ka bërë personin në fjalë nga banorët e xhenetit akoma pa vdekur.

Një herë tjetër, ai ngrihet mes shokëve të tij në xhami dhe u thotë:"A ka ndonjë prej jush që është përveshur për të fituar xhenetin?"

Ata u përgjigjën:"Ne jemi të përveshur o i dërguar i Allahut."

Profeti a.s u tha:"Xheneti është dritë që shkëlqen, borzilok që lëkundet, ka kështjella të larta, hyri të bukura dhe të hijshme, stoli të shumta, fruta të shumëllojshme, lumenj që nuk shterojnë kurrë."

Shokët e tij i thanë sërish:"Ne i jemi përveshur o i dërguar i Zotit."

Profeti a.s u tha:"Thoni në dashtë Zoti!"

Njëherë Profeti a.s dërgoi Abdullah bin Unejsin për të kryer një detyrë të cilën e kreu ashtu diç deshi Profeti a.s. Kur u kthye, Profeti a.s e pyeti:"Çfarë bëre o Abdullah?"

"E kreva detyrën që më ngarkove o i dërguar i Allahut" – ia kthen.

"Më prit se do të të shpërblej" – i thotë Profeti a.s – dhe hyn brenda, nga ku del me një shkop në dorë.

"Merre këtë o Abdullah dhe ma kthe Ditën e Kiametit, që të të fus në xhenet" – i thotë.

Tregon Abdullahu që këtë shkop nuk e ndaj nga vetja, dhe i kam porositur familjen që kur të vdes ta fusin me mua në varr, dhe ditën e kiametit t’ia jap profetit (a.s) dhe t'i them:"Ky është shkopi o i dërguar i Zotit. Po xheneti yt i premtuar ku është?"

Njerëzit më të lidhur me xhenetin ishin banorët e Medines. Më poshtë, do të përmendim katër ndodhi, të cilat kanë ndodhur larg njëra-tjetrës. Siç do e shohim, besimi i tyre ishte i palëkundur edhe pse nga koha kur kishin dhënë besën kishin kaluar njëzet vite. Ne sot ndryshojmë nga mëngjesi në mbrëmje.

Hera e parë që medinasit u takuan me Profetin a.s dhe i dhanë besën ishte në Akabe. Shtatëdhjetë e tre burra dhe dy gra nga Medineja u takuan me Profetin a.s dhe i dhanë atij besën se do e ndihmonin. Akabeja ndodhet tek xhemeratet, ku hidhen gurët në Haxh. Ebu Bekri dhe Umeri nuk morën pjesë në këtë takim. Vetë Ebu Bekri qëndronte sipër malit dhe ruante myslimanët nga kurejshët. Nëse këta të fundit e dinin se çfarë po ndodh, do shkonin t'i vrasin të gjithë. Ndërkohë që Umeri bënte roje mbi malin tjetër. Takimi u realizua në mesnatë dhe medinasit shkonin në vendtakim, si zogjtë e frikësuar. Me t'u takuar, ata i thanë:"Kërko për vete dhe për Zotin tënd o i dërguar i Allahut!"

Profeti a.s filloi të parashtrojë kërkesat e tij, kërkesa të cilat ishin të rënda dhe të vështira për t'u mbajtur.

Profeti a.s u tha:"Për Zotin tim, kërkoj që ta adhuroni dhe të mos i shoqëroni rivalë, të mos vidhni, të mos kryeni marrëdhënie jashtëmartesore, të mos shpifni. Për veten time kërkoj që të më dëgjoni, të më bindeni në kohë paqeje dhe lufte, të më bindeni për ato që u urdhëroj, të shpenzoni pasurinë tuaj për këtë fe dhe të më mbroni siç mbroni gratë dhe fëmijët tuaj."

Të japësh besën për kërkesa të tillë, do të thotë të japësh besën për jetë a vdekje.

Medinasit e pyetën: "Nëse i plotësojmë këto kushte, cili do të jetë shpërblimi ynë o i dërguar i Zotit”?

"Xheneti” – u thotë Profeti a.s – dhe nuk flet më shumë.

Vallë si do të reagonin pas këtyre kërkesave të rënda medinasit? Ata u përgjigjën:"Kjo është një marrëveshje e fituar prej nesh. Nga kjo besëlidhje nuk do të kthehemi duarbosh. Shtrije dorën që të të japim besën o i dërguar i Allahut."

Të gjithë medinasit filluan të shtyhen kush t'i japë besën më parë Profetit a.s.

Kur pa që të gjithë njerëzit kishin zgjatur duart ti japin besën Profetit (a.s), ndërhyri Es’ad ibnu Zurare dhe duke ua larguar duart nga dora e Profetit (a.s) u tha:” O popull prisni pak! Mendohuni mirë për atë që do i jepni besën këtij burri (nuk tha të dërguarit të Zotit, pasi dëshironte të flasë si asnjanës). Ju po i jepni besën për të pranuar të luftoni gjithë arabët dhe joarabët, të bardhët dhe të zinjtë. Nëse do e zhgënjeni më vonë, lëreni prej tani më mirë.”

Të tjerët iu përgjigjën:”Hiqe dorën o Sad dhe na lër ti japim besën të dërguarit të Zotit! Kjo është një tregti e fituar (për shkak se Profeti (a.s) u premtoi xhenetin). Ne nuk do e shkelim kurrë këtë besë.”

A është kaq i shtrenjtë xheneti edhe për ty o vëlla dhe oj motër? A e dini çfarë do të thotë xhenet? Xhenet do të thotë lumturi e amshuar, ku nuk ka vdekje, as sëmundje, as pleqëri, të jetosh në shoqërinë e Profetit a.s, të shëtisësh me Umer ibnul Hattabin, të kesh pallate të larta dhe të bukur të ndërtuar me flori dhe argjend, të kesh komshi Profetin a.s, tarraca e shtëpisë tënde të jetë Arshi i Allahut etj...

Qëndrimi i dytë heroik i medinasve ishte në betejën e Bedrit. Medinasit i kishin dhënë besën Profetit a.s për ta mbrojtur brenda kufijve të Medines. Kurse Bedri ishte jashtë Medines. Kur Profeti a.s pa që duhej të përballej me kurejshët, u ngrit mes myslimanëve dhe u tha:"Jepni mendimin tuaj o njerëz!" Menjëherë u ngrit Ebu Bekri dhe më pas Umeri, duke treguar  gatishmëri për të luftuar. Profeti a.s ua ktheu:"Zoti ua shpërbleftë me të mira." Dhe sërish u drejtua myslimanëve me fjalët:"Jepni mendimin tuaj o njerëz!" çohet Mikdad ibnu Amr dhe thotë fjalë të mira dhe premton që do të luftojë për kauzën islame. Profeti a.s e falënderon dhe sërish u thotë myslimanëve:"Jepni mendimin tuaj o njerëz!"

Atëherë çohet Sad ibnu Muadh nga banorët e Medines dhe thotë:"Sikur kërkon mendimin tonë o i dërguar i Allahut?!"

Profeti a.s iu përgjigj:"Po."

Sad ibnu Muadh thotë:"O i dërguar i Allahut! Ne të besuam në ato që thua, të dhamë fjalën dhe besën tonë dhe të premtuam bindje. Pranda, nisu o i dërguar i Allahut sepse pasha Allahun nëse do i hyje këtij deti do të të vijmë pas, pa mbetur pas asnjëri prej nesh. Merr çfarë të duash nga pasuritë tona dhe lër çfarë të duash. Ajo që do të marrësh nga pasuritë tona, do të jetë më e dashur se ajo që do të lësh. Hyr në paqe me kë të duash dhe armiqësohu me kë të duash, lidh marrëveshje me kë të duash dhe prishi marrëveshjet me kë të duash. Për Zotin do na gjesh përkrah teje në luftë dhe të sinqertë. E lusim Zotin që veprat tona të jenë kënaqësia e syve të tu."

Këto fjalë mund të thuhen krejt kollaj nga ligjëruesi në xhami, por të thuhen në sheshin e betejës, kur ti bashkë me përkrahësit e tjerë jeni vetëm treqind burra, kurse kundërshtarët mbi një mijë, është e vështirë të thuhen.

Qëndrimi tjetër i medinasve, është kur Profeti a.s u tha:"Vëllezërit tuaj nga Meka (muhaxhirët) janë të uritur. A pranoni që t'i ndani frutat me ta dhe t'i ndihmoni?"

Medinasit i thanë:"Ne i kemi ndarë të ardhurat dhe pasuritë tona me vëllezërit tanë nga Meka."

Profeti a.s i pyeti:"Po diçka më shumë, a mundeni?"

Medinasit i thanë:"E çfarë mund të bëjmë më shumë?"

Profeti a.s u përgjigj:"T'i ndani të vjelat me ta." Kjo, pasi mekasit nuk kishin njohuri nga çështjet e bujqësisë. Ata ishin marrë vetëm me tregti, gjë të cilën akoma nuk kishin filluar ta ushtrojnë në Medine.

Medinasit u përgjigjën:"Po o i dërguar i Allahut, por a i qëndron kushtit që kemi vendosur që në fillim (d.m.th xhenetit)?"

Profeti a.s u përgjigj:"Po."

Kështu, medinasit punonin gjithë vitin, e mblidhnin bereqetin në fund, e ndante në dy pjesë, merrte vëllain e tij nga Meka dhe i thoshte:"Tani zgjidh gjysmën që të pëlqen. Unë do të lë vetëm për një periudhë kohe dhe kur të kthehem, ta kesh marrë atë që të pëlqen."

Medinasit ishin të bindur se për të fituar xhenetin, ia vlente të paguanin çdo lloj çmimi.

Kur erdhën pasuri dhe plaçkë lufte nga Bahrejni, Profeti a.s tha:"Kjo do u shpërndahet vetëm medinasve dhe nuk do u jepet gjë mekasve."

Menjëherë medinasit ndërhynë dhe thanë:"Jo o i dërguar i Allahut! Marrëveshja mes nesh është që pasuritë t'i ndajmë dhe në këmbim të fitojmë xhenetin."

Kështu, pasuritë e ardhura nga Bahrejni u ndanë mes medinasve dhe mekasve.

Pasi myslimanët morën Meken dhe pasuritë e tyre u shtuan, Profeti a.s u tha medinasve:"Zoti ua shpërbleftë me të mira! Ju e mbajtët besën dhe që sot nuk do u jepni pasuri mekasve."

Medinasit i thanë:"O i dërguar i Allahut! Ti na kërkove diçka dhe ne në këmbim të kërkuam diçka. Ne e mbajtëm besën!"

Profeti a.s u përgjigj:"Edhe unë do e mbaj besën që u kam dhënë (për xhenetin)."

Pas pesëdhjetë apo gjashtë dhjetë vitesh, gjithçka që ti posedon do të zhduket, nuk do të përfitosh prej sa gjë. Kjo botë është e përkohshme prandaj nuk ia vlen të investosh për të gjithçka dhe të jepesh totalisht pas saj.

Unë njoh disa të rinj myslimanë që shpesh herë më thonë:"Ne nuk i përkasim kësaj bote. Ne i përkasim xhenetit. Vetëm atje do të ndihemi të qetë dhe të patrazuar. Vetëm duke pasur komshi të dërguarin e Zotit dhe çati Arshin e Zotit, do të ndihemi të lumtur dhe të kënaqur." Po ti o vëlla dhe oj motër, cilës nga dy botët i përkisni? çfarë kërkon të realizosh dhe të arrish gjatë jetës tënde? Cili është objektivi yt në jetë? Përse jeton?

Qëndrimi tjetër heroik i medinasve ishte pas betejës së Hunejnit. Kjo ndodhi i tronditi medinasit. Pasuritë dhe plaçka e luftës pas kësaj beteje ishte shumë e madhe. Profeti a.s filloi të ndajë plaçkën e luftës. Ebu Sufjanit i dha njëqind deve, Safvan ibnu Umejes dyqind deve dhe kështu vazhdoi me të gjithë mekasit. Kur erdhi radha që medinasit të marrin pjesën e tyre, Profeti a.s nuk u dha asgjë. Ai kishte bërë një marrëveshje me medinasit dhe në marrëveshje nuk theksohej që ata do të përfitonin nga plaçka e luftës. Ajo që do të përfitonin medinasit ishte vetëm xheneti.

Të thuash që synimi dhe objektivi im është xheneti, nuk është fjalë e lehtë dhe e kollajtë për t'u mbajtur. Është mirë ta peshosh mirë para se ta thuash, pasi në këmbim të tij, duhet të pranosh çdo lloj çmimi. Që të kesh objektiv xhenetin, nuk do të thotë të mbyllesh në shtëpi dhe të adhurosh vetëm Zotin. Jo. Të kesh objektiv xhenetin, do të thotë të jesh i suksesshëm në jetë, në mësime, të vishesh më bukur se të tjerët, ta kapësh thelbin e gjërave, të mësosh përdorimin e kompjuterit, të mësosh gjuhë të huaja etj... por të gjitha këto ti kesh në dorë dhe jo në zemër. Zoti na ka dërguar mëkëmbës në tokë dhe na ka urdhëruar të përfitojmë prej të mirave materiale të saj, por zemrën ta kemi të mbushur me dashuri për Zotin dhe xhenetin. Të mirat materiale të kësaj bote t'i kemi në dorë dhe jo në zemër, t'i kontrollojmë dhe të mos na kontrollojnë.

Duke parë që Profeti a.s nuk u dha asgjë nga plaçka e luftës, mes medinasve filluan të lindin dyshime. Disa prej tyre thanë:"Tashmë i dërguari i Zotit është mes njerëzve të tij dhe nuk ka nevojë për ne."

Sad ibnu Ubade vajti tek Profeti a.s dhe i tha:"O i dërguar i Allahut! Kjo lagje e Medines thonë se ti ke gjetur njerëzit e tu tashmë dhe nuk ke nevojë për ne."

Profeti a.s u kthye dhe e pyeti:"Po ti o Sad, çfarë mendon?"

Sad u përgjigj:"Unë jam i popullit tim." Dmth edhe unë mendoj si medinasit e tjerë.

Atëherë Profeti a.s i tha:"Mblidhi medinasit o Sad."

Me t'u mbledhur medinasit, Profeti a.s u tha:"O banorë të Medines! Kam dëgjuar se keni thënë se i dërguari i Zotit tashmë është mes njerëzve të tij dhe nuk ka nevojë për ne."

Ata u përgjigjën:"Po o i dërguar i Allahut."
Profeti a.s u tha:”O Ensarë, a nuk u gjeta të humbur dhe Zoti ju udhëzoi? A nuk ishit armiq me njëri-tjetrin dhe Zoti j’ua bashkoi zemrat? A nuk ju gjeta të varfër dhe Zoti ju pasuroi?”

Ata iu përgjigjën:”Është mirësi e Zotit dhe e të dërguarit të Tij.” Profeti (a.s) u tha përsëri:”O Ensarë, nëse dëshironi mund të përgjigjeni.”

"Po çfarë të themi o i dërguar i Zotit?” Ai u tha:”Thoni: Edhe ti erdhe i varfër dhe të pasuroi Zoti mes nesh. Erdhe i përndjekur nga populli yt dhe ne të strehuam. Erdhe i përgënjeshtruar, kurse net ë besuam. Erdhe i lënduar dhe ne të ngushëlluam.”  Të gjithë ulën kokat dhe thoshin:” Është mirësi e Zotit dhe e të dërguarit të Tij.” Profeti (a.s) më pas u tha:”O Ensarë, a u mbeti hatri për disa gjëra të kësaj bote, të cilat unë ua dhashë njerëzve që sapo kishin pranuar Islamin, me qëllim që t'u shtohet dashuria për këtë fe, duke u lënë juve me besimin tuaj? A nuk jeni të kënaqur që teksa njerëzit e tjerë të kthehen në shtëpitë e tyre me deve dhe dele, kurse ju të ktheheni në vendin tuaj me të dërguarin e Zotit? Për Zotin, sikur të gjithë njerëzit të ndiqnin një rrugë, kurse ju Ensarët një rrugë tjetër, unë do të ndiqja rrugën e Ensarëve. O Zot! Mëshiroji Ensarët, bijtë e Ensarëve dhe bijtë e bijve të Ensarëve!”

Të gjithë qanë saqë u lagën dhe mjekrat nga lotët dhe thanë:”Ne jemi të kënaqur që kemi me vete të dërguarin e Zotit.” 

Në Kuran, gjendet një ajet shumë domethënës rreth objektivit në jetë. Thotë Zoti i madhëruar:"

"Sa për atë që dëshiron këtë botë, Ne shpejtojmë që t’i japim çfarë të dëshirojmë atij që duam. Pastaj ia caktojmë atij Xhehenemin, në të cilin ai do të përvëlohet, duke qenë i turpëruar dhe i dëbuar. Sa për atë që dëshiron botën tjetër dhe përpiqet për të me gjithë shpirt e duke qenë besimtar, përpjekja e tij do të shpërblehet. Ne i mbështesim të gjithë me dhuratat e Zotit tënd: edhe këta, edhe ata. Dhuratat e Zotit tënd nuk i mohohen askujt." (Isra, 18-20)

Po të shohim, këta ajete përmendin vetëm dy kategori njerëzish: Ata që duan këtë botë dhe ata që duan botën tjetër. Ku janë ata që janë të lëkundur, që nuk dinë çfarë duan, që herë duan botën tjetër dhe herë dynjanë? Ku janë ata që sa hyjnë në xhami, synojnë xhenetin dhe botën tjetër, por me të dalë prej saj harrojnë gjithçka dhe jepen pas kësaj bote? Përse nuk përmenden këta njerëz?

Dijetarët thonë se kjo kategori nuk meriton të përmenden, pasi nuk janë njerëz seriozë.

Thotë Ibnul Kajjim:"Xheneti nuk është zbukuruar për ndonjë umet, siç është zbukuruar për umetin e Muhamedit a.s."

Thotë Profeti a.s:"Shpërblimi i Zotit është i madh dhe i shtrenjtë. Shpërblimi i Zotit është xheneti."

Zoti nuk mund të bëjë tregti me një mall të lirë dhe të cilësisë së dobët. Ai bën tregti dhe Pazar veçse me mall të shtrenjtë dhe të cilësisë më të mirë.

Thotë Profeti a.s:"Vendi që 'zënë dy shigjeta në xhenet, është më i mirë se kjo botë me të mirat e saj."

Dy shigjeta vend, janë sa vendi që zë një sixhade që shërben për t'u falur. Kaq vend në xhenet, është më i mirë se e gjithë kjo botë me të mirat e saj. A e beson profetin tënd o vëlla dhe oj motër?

Gruaja e faraonit jetonte në pallatet luksozë dhe madhështorë të tij, megjithatë ajo lutej:"O Zoti im! Ndërtomë një banesë tek Ti, në Xhenet" (Tahrim, 11)

Asaj nuk i hynin në sy pallatet dhe kështjellat e faraonit, ajo synonte pallatet e xhenetit.

Duke pasur si objektiv xhenetin, shokët e Profetit a.s iu dhanë totalisht këtij objektivi dhe sakrifikuan gjithçka tjetër.

Para betejës së Bedrit, Profeti a.s u tha myslimanëve:"Çohuni drejt xhenetit, gjerësia e të cilit është sa ajo e qiejve dhe e tokës."

Umejr ibnu Hamam e dëgjoi këtë dhe tha:"Bah, bah."

Profeti a.s e pyeti:"Përse thua bah bah o Umejr?"

Ai u përgjigj:"Uroj që të jem nga banorët e xhenetit o i dërguar i Allahut."
Profeti a.s i tha:"Ti je nga banorët e xhenetit."

Teksa ishte nisur për në betejë, Umejr ibnu Hamam mbante në dorë disa kokra hurme. Ai i pa në dorë dhe tha me vete:"Ajo që më mban larg xhenetit në këto çaste janë këto hurma. Është jetë e gjatë të pres derisa t'i mbaroj të gjitha dhe të fitoj xhenetin."

Kush prej nesh e vë kokën në jastëk në mbrëmje dhe fillon të fantazojë rreth xhenetit? Përse imagjinata e të rinjve tanë është e orientuar vetëm tek martesa dhe lidhjet me filanen/filanin, shtëpinë ku do të banojmë, makina që do të blejmë, paratë që do të fitojmë ...?

Amr ibnul Xhemuh çalonte në njërën këmbë, megjithatë kjo nuk e pengoi të dalë në luftë. Katër fëmijët e tij e lutën që të mos dalë në luftë për shkak të moshës dhe çalimit. Fëmijët këmbëngulën që ai të mos dalë dhe nga kjo Amr ibnul Xhemuh vajti tek Profeti a.s dhe iu ankua se kërkonte të dalë, por fëmijët nuk e lejonin. Profeti a.s i tha:”Po ti çalon o Amr?” Amri iu përgjigj:”Kam qejf të hyj në xhenet me këmbën që çaloj o i dërguar i Zotit.” Profeti a.s buzëqeshi dhe iu drejtua fëmijëve të tij:”Lëreni! Ndoshta Zoti e bën të vdesë si dëshmor.” Kështu doli Amr ibnul Xhemuh të marrë pjesë dhe ai në luftë. Me të arritur në Uhud, fryn një erë e freskët. Kur ndjen freskinë e erës, Amri thotë:”Ah moj erë e xhenetit.” Më pas ai kthehet duke shikuar nga qyteti i Medines dhe thotë:”O Zot, mos më kthe më në qytet!” Me fillimin e luftës, ai vazhdon të luftojë derisa vritet.

Pas betejës Profeti a.s thotë:”Unë e shoh Amri ibnul Xhemuh tani duke hyrë në xhenet me këmbën që çalonte. Zoti ia realizoi atë që deshi.”

Thotë Profeti a.s:"Për dikë prej jush, xheneti është më afër se lidhëset e këpucëve të tij."

Në një hadith tjetër, Profeti a.s thotë:"Aroma e xhenetit ndihet pesëqind vjet larg."

A e ke nuhatur ndonjëherë këtë aromë o vëlla dhe oj motër? A njihni ndokënd që e ka nuhatur?

Enes ibnu Nadr është një nga ata që e kanë nuhatur aromën e xhenetit. Ndërkohë që e gjithë ushtria myslimane po tërhiqej e humbur, Enes ibnu Nadr vraponte në drejtim të kundërt, drejt ushtrisë armike. Sad ibnu Muadh e ndaloi dhe e pyeti:"Për ku je nisur o Enes?"

Ai u përgjigj:"Ndjej aromën e xhenetit poshtë malit të Uhudit o Enes."  Tregon Sad:"Unë u përpoqa ta ndaloj, por nuk ia dola dot. E pashë të çajë rreshtat e ushtrisë jomyslimane dhe më pas e gjeta të vrarë poshtë malit të Uhudit."

E lusim Zotin që dashurinë për xhenetin ta kultivojë në zemrat tona!

 

 Perktheu: Elmaz Fida


Category: Artikuj Islam | Views: 570 | Added by: Kushtrim_Guraj | Rating: 0.0/0
Total comments: 0
Name *:
Email *:
Code *:
Block title
Komuna Dragash-it
komuna_dragash_radio_sharri


www.opoja.net
EDHE TI MUND TA SJELLËSH LAJMIN NË "OPOJA.NET"
Apo nëse keni propozim për ndonjë temë interesante, na thirreni në tel.:045/622 653, apo na shkruani në e-mail: opoja.net@live.com
Moti në opojë

OPOJA

Reklama Juaj!□■□■□■□■□ opoja.net@live.com
Marketing




Kliko ketu per ta shkarkuar fletepalosjen "Vetekontrolli i Gjinjeve"
Foto & Video
Fotografia e Javës http://mw2.google.com/mw-panoramio/photos/medium/65786457.jpg Video e Javës
Publicitet

Facebook
dita e flamurit
Gjithësej Vizitorë

Gjithësej ne Linje: 1
Publikues: 1
Perdorues: 0
Total Vizitorë: